Ngrihet aktakuzë ndaj Azem Sylës dhe 39 personave të përfshirë në dallaveret me prona


25/10/2016

Në aktakuzën të paraqitur nga prokurori ndërkombëtarë i  PSRK-së, akuzohen 22 të pandehur, në të cilën janë rënditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë Krim të organizuar; Pastrim i parave; Marrje të mitos; Mashtrim i rëndë; Mashtrim në detyrë; Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme; Keqpërdorim i pozitës zyrtare; Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal.

 Në aktakuzën e dytë akuzohen 17 të pandehur për Pastrim të parave.  Ky rast sipas PSRK’së, ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të strukturuar, me hierarki të organizuar dhe afatgjatë, i cili i ka privuar Kosovës pronat shoqërore. Ky grup i organizuar kriminal, aktiv prej vitit 2006, ishte i përbërë nga shqiptarë të Kosovës dhe anëtarë serbë.
 Ky grup udhëhiqej nga Azem Syla.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive. Palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës të drejtat e të cilëve mbi parcelat e tokës ishin keqpërdorë nga ky grup i organizuar kriminal.

 Gjatë këtyre hetimeve, në fund të muajit prill 2016 është realizuar një operacion në kuadër të së cilit u bënë arrestime, bastisje dhe konfiskime të pasurisë. Udhëheqësi i pretenduar i këtij grupi, A.S., ish-deputet, ishte arrestuar më 29 prill 2016 dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, njësoj si edhe dy të pandehur të tjerë. Tre të pandehur të tjerë aktualisht janë duke i vuajtur dënimet me burgim për shkak të veprimtarive kriminale të mëparshme.
 Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës në fjalë janë konfiskuar përkohësisht në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe tani janë duke u menaxhuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AMPSK).

Ky proces ka për qëllim pikë së pari kthimin e tokës në pronësinë publike legjitime të saj.
 Këto hetime kanë përfshirë edhe një bashkëpunim efektiv me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

 Pas këtyre veprave penale kanë pasuar veprimtaritë për pastrimin e parave nëpërmjet bartjes së pronësisë së parcelave të tokës, për ta fshehur origjinën kriminale të këtyre parcelave, si dhe me anë të transaksioneve financiare.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart