Kthehu lart

Spiropali: Basha të japë llogari për paratë që sponsorizuan dëmtimin e imazhit të Shqipërisë

Spiropali: Basha të japë llogari për paratë që sponsorizuan dëmtimin e imazhit të Shqipërisë GazetaExpress

Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali në një dalje për mediat u shpreh se historia e një pagese të errët të PD përmes një kompanie për të lobuar në SHBA, me qëllimin tanimë të njohur të nxirjes së imazhit të Shqipërisë në botë, ka hyrë në një fazë të re.

Sipas saj kjo është një vepër e rëndë e bashkëpunimit me forca jo dashamirëse ndaj ëndrrës së Shqipërisë europiane. 

Reagimi

Një media e njohur investigative amerikane ka publikuar një rrjetë merimange tronditëse të rrugës së parave të paguara nga PD, me dijeninë, vullnetin dhe firmën e Lulzim Bashës për të hapur një kanal balte deri në Uashington. Rrjeta e merimangës sipas investigatorëve amerikanë e ka zanafillën në xhepat e oligarkëve rusë dhe, madje, media në fjale insinuon drejtpërdrejt për një përzierje direkte të Kremlinit në politikën shqiptare, përmes Lulzim Bashës dhe PD.

Ne nuk e dimë nëse kjo e fundit, pra përzierja e Rusisë edhe në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, me qëllim futjen e mollës së sherrit mes Perëndimit e Lindjes, në mexhelisin e jetës sonë politike është e vërtetë. Por padyshim, as nuk mund të na mjaftojë dhe as mund të na bëjë të heshtim, qoftë reagimi i Ambasadës Ruse e qoftë reagimi i Partisë Demokratike ndaj medias amerikane. 

Mbrëmë edhe prestigjiozja “Neë York Times” i është bashkuar zërit të medias investigative “Mother Jones” dhe ka publikuar faktet e paraqitura prej kësaj të fundit.

Për të mos lejuar asnjë keqkuptim,  ne nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet. Pra, të paktën për momentin, me kaq të dhëna sa kemi, nuk duam e as mundet të themi se prapa këtij zullumi të zi e të trashë të Lulzim Bashës është Kremlini. Koha do të na tregojë më shumë e do të kemi kohë të riflasim për këtë.

Ama, as overdoza e budallallëkut të Lulzim Bashës - që sa herë duhet të përgjigjet për çka i detyrohet shpjegime popullit shqiptar dhe vetë elektoratit të PD-së, nxjerr një çarçaf akuzash për paratë e drogës që po blikan botën për të luftuar Lulzim Bashën - nuk ka ku rri më as në qiell as në tokë. Kjo nuk është nga ato çuditë që zgjasin tri ditë dhe as nga ato sms-et habitore që këmbehen në bankat e grupit parlamentar të PD-së, gjëra për të cilat Lulzim Basha e PD bëjnë shurdhin e qorrin teksa ekspozojnë si gjethe fiku çarçafët e tyre të pistë kundër Edi Ramës dhe qeverise sonë.

Këtu kemi të bëjmë me një krim politik, financiar dhe, mos e dhëntë Zoti, edhe kombëtar, për të cilin Lulzim Basha duhet të përgjigjet pa u fshehur pas çarçafëve të zhgarravitur me overdozën  e baltës së budallallëkut të një opozite pa kokë, pa këmbë, pa program, pa skuadër, pa gjë prej gjëje tjetër përveç urrejtjes, mllefit, dëshpërimit.

Lulzim Basha duhet të thotë ku u gjenden ato para që u paguan në emër të PD-së. Pse ato para kaluan nga kanali i errët i një shoqërie guaskë? Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan, sepse përndryshe askush në SHBA nuk do të harxhonte kohë dhe energji për të hetuar këtë zullum të madh.

Lulzim Basha nuk mund të fshihet pas çarçafit të radhës, as pas mëdyshjes nëse është a s’është Rusia në këtë mes, sepse e përsëris, me Rusinë a pa Rusinë si shtet të përfshirë, çështja mbetet e madhe sa një elefant në mes të mexhelisit të politikës e të shoqërisë sonë sot.

Ne nuk kemi ndërmend as të heshtim e as të rrimë duarkryq, në pritje që Lulzimi të dalë nga prapa çarçafit ku është fshehur dhe të tregojë të vërtetën, qoftë përpara publikut a qoftë përpara drejtësisë. Sot Shqipëria dhe shqiptarët duan të dinë të vërtetën e kësaj historie, që ka nisur në xhepat e oligarkëve rusë e ka përfunduar në kamionët e baltës së opozitës shqiptare kundër Shqipërisë në Uashington. Po edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë meritojnë të dinë të vërtetën, ndërkohë që Shqipëria pret të çelë negociatat me BE, ndërsa opozita e saj është nën akuzë jo në Shqipëri, po edhe në median investigative amerikane, për të paktën krimin e pastrimit të parave, krimin e financimit të paligjshëm në SHBA përmes futjes së parasë së huaj për qëllime politike dhe krimin e bashkëpunimit me elementë të huaj,  tejet të dyshimtë në qëllimet e tyre ndaj Shqipërisë, për llogari të luftës së brendshme politike.

    Data: 08 Mars 2018 15:39
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera