Kthehu lart

Si u fut në kurth “Meti i Kristalit”? Shkoi në kafe për të dhënë një diplomë dhe...

Si u fut në kurth “Meti i Kristalit”? Shkoi në kafe për të dhënë një diplomë dhe... GazetaExpress

Rudina 30 vjeçe, nga Laçi kishte dëgjuar se në Tiranë shiteshin diploma. Përmes një të njohuri që është shpallur në kërkim si ndërmjetësues, vajza parapagoi 1 mijë euro.

Këtë të hënë, në një lokal në Tiranë Rudina pagoi edhe shumën tjetër prej 1500 euro si kusht për të marrë diplomën që e njeh atë si juriste.

Sipas prokurorisë, shuma iu dorëzua ish pronarit të universitetit “Kristal”, mbyllur katër vite më parë.

Ahmet Muçaj është arrestuar menjëherë sapo ka shkëmbyer diplomën me shumën e parave. Vepra për të cilen 69-vjeçari do të hetohet më tej është ajo e korrupsionit pasiv në sektorin privat.

Një burim i tha Top Channel se shtetasja me të dhënat Rudina F., konsiderohet tashmë një bashkëpunëtore e drejtësisë përderisa ka ndihmuar autoritetet që të zbulojnë se si po shpërndahen diploma nga një universitet që nuk ekziston, për sa kohë i është hequr licenca në vitin 2014 dhe dyert e tij janë të mbyllura.

Bëhet e ditur në rruge jo zyrtare se prokurorët e kryeqytetit po hetonin skemën e shpërndarjes së diplomave false prej muajsh. Kishte dyshime që persona të caktuar nga universiteti i mbyllur, kanë pajisur disa qytetarë me diploma që përkojnë me kohën kur Kristali ishte hapur. Në këtë kohë është rënë në gjurmët e vajzës që sapo kishte dorëzuar shumën paradhënie në fillim të këtij viti.

Prokurorët kanë kërkuar bashkëpunimin e studentes së rremë e cila ka pranuar të infiltrohet. Siç rezulton nga kqyrja e diplomës së sekuestruar, në dokument janë regjistruar të dhëna të dyshimta. Në diplome shkruhet se studentja që nuk ka qenë asnjë ditë në auditor është regjistruar si studente e juridikut në vitin 2010, ndërsa është diplomuar në 11 shtator 2013, pikërisht pak muaj përpara se universiteti të mbyllej.

Pavarësisht se prokurorët kanë dyshime se firma e ish dekanit Arben Lloja është falsifikuar, për të konfirmuar pistat e hedhura do t’i kërkohen ministrisë së Arsimit regjistrat e dorëzuar nga universiteti menjëherë pas mbylljes./Top Channel

    Data: 06 Mars 2018 15:42
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera