Shkodra nën ujë, si paraqitet situata e përmbytjeve në gjithë qarkun

Prej ditësh i gjithë qarku i Shkodrës ndodhet në një situatë alarmante kjo për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por edhe shkrirjes së borës në male.

GazetaExpress

Bashkisa e Shkodrës bën një panoramim të situatës, ndërsa kryetarja Voltana Ademi këmbëngul me insistim për shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Sipas bashkisë, janë 430 ha tokë e përmbytur në Njësitë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan 35 ha, fshati Shirq 110 ha, fshati Darragjat 10 ha, Këneta e Dajçit 275 ha. Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhe dhe bimë dekorative.

Ndërsa në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të precipitojë negativisht.

1000 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 400 ha, fshati Oblikë 290 ha, fshati Obot 310 ha.

Specialistët në terren, kanë bërë një vlerësim paraprak të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në këto njësi administrative. Vlera e demit arrin në rreth 56.980.000 leke te reja, vlerë e cila mund te rritet me vazhdimin e mëtejshëm te gjendjes se përmbytjes.

Llogaritjet e ndara sipas kulturave:

Për Nj.A Ana e Malit :

Jonxhë 35.000.000 lekë

Kultura të dyta foragjere 9.730.000 lekë

Grurë 1.000.000. lekë

Sera 6.000.000 lekë

Për Nj.A. Dajç:

Jonxhë 3.500.000 lekë

Kultura të dyta foragjere 1.750.000 lekë

Gjatë ditës së sotme, Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit. Situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, si dhe nga keqmenaxhim i kaskadës së lumit Drin.

Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë Shkodër./Gazeta Express

Të tjera

Lajmet e fundit