“Rusët ndërhyjnë në zgjedhjet e PD-së në Shqipëri”, ambasada: Trillim absurd

Ambasada ruse në Shqipëri e quan trillim absurd lajmin e revistës amerikane “Mother Jones” se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 2017-s në vendin tonë.

GazetaExpress

Në reagim thuhet se ndryshe nga disa vende perëndimore, Rusia i përmbahet fort parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.

Reagimi i ambasadës ruse në Tiranë:

Kemi vënë re një artikull të publikuar më 6 mars në uebsajtin e revistës amerikane “Mother Jones” dhe të ribotuar nga disa gazeta shqiptare, për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet parlamentare të 2017-s në Shqipëri.

Materiali në fjalë përbën një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë.

Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë.

Theksojmë se ndryshe nga disa vende perëndimore, Rusia i përmbahet fort parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha forcat politike të Shqipërisë në interes të përparimit të dialogut dypalësh.

Shpresojmë gjithashtu që mendimi i autorëve amerikanë nuk përkon me qëndrimin e redaksive të mediave shqiptare, të cilat e kanë ribotuar artikullin e lartpërmendur.

Të tjera

Lajmet e fundit