Ruçi takon ministrin sllovak, diskutime për integrimin dhe reformën në Drejtësi

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pret në një takim Ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Sllovakisë: Integrimi i Shqipërisë në BE në fokus të bisedës.

GazetaExpress

Në këtë takim, dy personalitetet e larta vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën vullnetin e përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe të bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë. 

Në këtë prizëm u vlerësua veçanërisht dëshira për të intensifikuar, por edhe për të zbuluar potenciale të reja bashkëpunimi në aspektin ekonomik, në fushën e energjetikes, infrastrukturës, si dhe atë të turizmit.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje zhvillimet pozitive në ndërmarrjen dhe realizimin e reformave të rëndësishme për vendin dhe procesin integrues. 

Ruci nënvizoi hapat e qenësishëm të ndërmarrë për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar miratimin dhe fillimin e zbatimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit shprehu besimin se arritjet konkrete të Shqipërisë, në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të anëtarësimit do të jenë baza e vlerësimit nga vendet anëtare të BE-së për hapjen e negociatave. Në këtë kuadër, 

Ruçi kërkoi mbështetjen e Sllovakisë për Shqipërinë në këtë proces. 

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, i cili është një nga shtyllat kryesore ku mbështetet Procesi i Stabilizim Asociimit. Kryetari i Kuvendit, duke vlerësuar procesin e integrimit të rajonit si thelbësor për nxitjen e ndërveprimit dhe stabilitetit, theksoi rolin konstruktiv dhe pro-aktiv të Shqipërisë në rajon, në dobi të  marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.

Ministri Korčok  u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të tejkalojnë të shkuarën, të forcojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes tyre dhe të mundësojnë zgjidhjen e çështjeve ende të hapura në mënyrë që të konsolidojnë ecurinë e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Duke vlerësuar hapat e hedhur nga Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit në BE, Ministri Korčok shprehu mbështetjen dhe urimin që viti 2018 të jetë një vit i mbarë për aspiratën e Shqipërisë për integrimin në BE. 
  

Të tjera

Lajmet e fundit