Kthehu lart

Rrëfimi për vrasjen e Azem Hajdarit: Ishte pritë për Berishën, ja çfarë ndodhi atë natë

Rrëfimi për vrasjen e Azem Hajdarit: Ishte pritë për Berishën, ja çfarë ndodhi atë natë GazetaExpress

Ismet Haxhia, vëllai i Izet Haxhisë, i cili kreu 15 vjet burg i akuzuar në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzon ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi se i ka ofruar 100 mijë dollarë që Izet Haxhia të dëshmonte se ishte Sali Berisha urdhëruesi për vrasjen e Azem Hajdarit.

Në një replikë me Fatos Klosin, dhënë gazetës “Panorama”, Ismet Haxhia shprehet se ka qenë fatos Klosi që ka dashur ta përfshinte në një skenar për vrasjen e Sali Berishës gjatë një mitingu në Vlorë, por që e ka refuzuar. Sipas tij, dënimi i vëllezërve Haxhia ka qenë një inskenim i Fatos Klosit.

Në një intervistë dhënë për “Panorama”, ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, është shprehur se ju i keni kërkuar atij ndihmë për t’u larguar nga Shqipëria familjarisht, gjatë kohës që kryhej procesi i hetimit për vrasjen e Azem Hajdarit. Ku donit të shkonit?

Vetëm të vërteta nga goja e Fatos Klosit nuk kam dëgjuar të dalin. Ai mashtron me faktin që ka qenë drejtor i SHISH dhe mendon se ato që thotë janë të besueshme dhe të vërteta.

Kur jeni takuar ju me të?

Unë jam takuar me Fatos Klosin qershorin e vitit 2000 dhe më ka kërkuar që të takoj vëllain tim, Izetin. Ai ka qenë me një zv.drejtor të CIA-s, siç thoshte ai, prezente ka qenë dhe një Marika Kazulli, e cila ishte ndërmjetësuese e këtij takimi.

Ajo tani ka vdekur dhe ai manipulon si të dojë me këtë histori. Kemi qëndruar 2 orë në një lokal në Marikaj. Fatosi insistonte që të takonte vëllain tim, në prani të atij amerikanit, në mënyrë që Izeti të depononte kundër Sali Berishës, që ta arrestonte më pas Saliun.

Kjo, pasi atij i dështoi vrasja e Berishës në Vlorë. Snajperi që përmend Fatos Klosi është histori e vërtetë. Ai është përpjekur që të më lerë në dorë një snajper në dy rrugë: nëpërmjet një spiuni tjetër, që e përdorte dhe ai ishte te baza e SHIK-ut te Pazari i Ri dhe përmes Marika Kazullit.

Përmes Marika Kazullit, Fatos Klosi më ofroi 20 mijë dollarë, që unë të blija një snajper dhe t’ia çoja më pas Fatos Klosit. Por unë nuk isha budalla dhe i them Marikës se Fatos Klosi nuk ka mbetur keq që të sigurojë snajpera përmes meje, ai i merr me maune.

Ai donte të më linte në dorë snajperin, të bënte qitje me atë pushkë, të mbante gëzhojat dhe të ma kthente përsëri që të ma gjenin mua armën që ai donte të vriste Sali Berishën. Unë po të doja, i fusja në qorrsokak, mbaja snajperin, Fatos Klosi do të realizonte atentatin ndaj Berishës në Vlorë dhe do vinin të gjenin snajperin tek unë, si vëllai i Izet Haxhisë, oficer policie etj., etj..

Unë mund ta kisha hedhur snajperin në det dhe nuk do gjenin dot armën, ndërsa Fatos Klosit do t’i mbeteshin gëzhojat në dorë, por dhe pasojat e krimit që do vinin pas saj. Vëllait do t’i thosha dorëzohu në postën më të afërt në Turqi dhe nga vëllezërit Haxhia nuk do të kishte asnjë përfshirje në skenarin e Klosit.

Por unë nuk doja të bija pre e skenarit kriminal politik të Fatos Klosit. Mua më vinte turp që t’i thosha vëllait tim që Klosi kërkon që ti të deponosh kundër Berishës, me qëllim arrestimin e tij. Pas tre muajsh, Fatosi doli me tregimin se Izeti është parë në zonat e Veriut dhe përmes kësaj donin të trembnin Berishën me Izetin dhe Jahon, sepse ishte kohë fushate zgjedhore.

Nuk ka ndodhur kurrë që Izeti të jetë takuar ndonjëherë me Jaho Mulosmanin. Fatosi ofronte mbrojtje të Izetit, do të jepte dhe 100 mijë dollarë dhe do siguronte ikjen tonë në Amerikë.

Këtë premtim për marrje në mbrojtje apo paratë si garanci, jua ka thënë ndërmjetësja?

Jo, jo, këtë ma ka thënë direkt Fatos Klosi. Në çantën e Marika Kazullit ishte regjistruesi i bisedës tonë. Në fund të muajit korrik, përmes kunatës së Izetit, Fatos Klosi thotë: Fati i Izetit dhe i vëllezërve të tij varet nga dëshmia që do bëjë kundër Berishës. Por ne nuk pranuam dhe bëmë gjithë ato vite burg.

Ju në këtë mënyrë i keni shpëtuar dhe jetën Sali Berishës, jua njeh këtë nder?

Ai është njeriu më i pabesë që mund të ketë! Njeri më mosmirënjohës nuk ka. Im vëlla ia ka shpëtuar kokën në 13- 14 mars 1997, kur donte t’ia mbathte nga Presidenca.

Kur jeni takuar herë tjetër me Fatos Klosin?

Jemi takuar përsëri më 17 janar 2001, por ai nuk e përmend këtë takim se është burracak. Ka qenë dy ditë pas arrestimit të vëllait tim, Isamedinit, i cili doli i pafajshëm. Në atë takim, i kam kërkuar Fatos Klosit që të heqë dorë nga skenarët kundër familjes tonë. Kam bërë çerek ore debat të ashpër me të, në lokalin Red Bull përballë Ministrisë së Drejtësisë që është sot.

Ka pasur dhe persona të tjerë prezentë?

Lokali ishte i mbushur me punonjës të SHISH-it dhe e dëgjonin bisedën se ishte me tone të larta. Në një tavolinë ngjitur ka qenë dhe zv.drejtori i SHISH, me mbiemër Kadëna, që kohë më vonë i ka thënë avokatit tim që Ismeti ishte shumë i revoltuar dhe ata kanë të drejtë se i kanë futur në burg kot.

Po pas daljes nga burgu, me kë jeni takuar?

Pak ditë pas daljes nga burgu më ka ardhur te shtëpia ku banon djali im dy miq të mi. Njëri, një profesor që kam pasur në Shkollën e Partisë dhe një mik i përbashkët imi dhe i Fatos Klosit, të cilin e ka përdorur vazhdimisht për të transmetuar mesazhet apo presionet e tij.

Në bisedë e sipër, miku i përbashkët më tha: “Profesori (fjala ishte për Klosin), ka mundësi të vijë të të takojë dhe për të kërkuar falje!”. Unë i kam thënë se nuk mund ta pranoj faljen prej tij, sepse ai na mori jetën me koshiencë të plotë në zbatim të skenarëve të tij politikë. I thashë se nuk dua të merrem me një njeri kaq të ulët sa Fatos Klosi dhe do të bëjë gabim të më dalë përpara, se nuk e di se çfarë mund të ndodhë pas gjithë atyre gjërave, që ka bërë kundër nesh.

Si i vlerëson akuzat, që ka bërë Izeti, gjatë kohëve të fundit?

Izeti di shumë gjëra, sepse ka qenë shumë afër prej shumë vitesh me persona me shumë pushtet në Shqipëri. Unë jam shumë i bindur se Izeti mbetet një njeri shumë i sinqertë në ato që thotë.

A keni besim në një rihapje të çështjes “Hajdari”?

Jo, nuk kam besim, sepse prokurorët që kanë manipuluar çështjen “Hajdari” me urdhër të politikës, sot i shoh nëpër tribunat e Prokurorisë. Janë me dhjetëra persona, që kanë punuar për manipulimin e kësaj dosjeje dhe përse ata do dëshmojnë për mua dhe Izetin?! Prandaj them se është një çështje e varrosur.

Ekstradimi i Izetit mund ta rihapë çështjen “Hajdari” dhe a dëshiron Izeti që ta rihapë?

Ligjërisht mund të hapet, por ajo është një hapje formale, vetëm sa për procedurë, por nuk mund të rihetohet më. Unë po të them një fakt, që dy vjet hetime që po shkonin në një rrugë të drejtë, kur po hetoheshin skenarët e vrasjes dhe personat që kishin kryer ekzekutimin, me vrasjen e Fatmir Haklajt, u zhduk dosja dyvjeçare e hetimit dhe ka filluar manipulimi i dosjes sonë me qëllim që, ata që urdhëruan vrasjen e Azem Hajdarit, të thoshin se nuk ishim ne ata që eliminuam Azem Hajdarin, por është Berisha me njerëzit e vet. Ky ka qenë i gjithë motivi i akuzës ndaj nesh.

Në atë kohë, Ilir Meta ka qenë kryeministër dhe sot është kryetar i shtetit. Ilir Meta kërkoi në atë kohë që të gjenden vrasësit e vrasësve. Sapo atij ia sqaruan se vrasësi i vrasësve është vetë shteti, Ilir Meta nuk e përmendi më atë deklaratë. Vrasësit e Azem Hajdarit i likuidoi shteti. Unë, në atë kohë, kam qenë në Polici dhe kam dijeni se si funksiononin gjërat.

Fatos Klosi thotë se vrasësit e Azem Hajdarit i kanë thënë se ata kanë qenë në hasmëri me Azemin, ndërsa Sali Berisha kishte interes nga eliminimi i tij. Si i gjykoni ju këto thënie, si i përfshirë në dënimin për këtë vrasje?

Sipas meje, shumë njerëz që kontrollonte Berisha ishin në hasmëri me Haklajt, sepse i përdori Berisha për të realizuar krimet e tij politike, sepse ai nuk e pranonte dot lëshimin e Tropojës në duart e socialistëve.

Dhe Haklajt ishin përkrahës të socialistëve. Dhe ishin po socialistët që i goditën dhe i likuiduan Haklajt me strukturat e Klosit dhe të Policisë së Shtetit. Ka pasur njerëz që ishin me bindje të djathta, që merrnin pjesë si udhërrëfyes, por ekzekutorët ishin gjithmonë nga strukturat e shtetit.

Po heshtjen e Jaho Mulosmanit, si e vlerësoni?

Jahoja është i përdoruri i Fatos Klosit. Sepse Jahon e kanë arrestuar forcat amerikane dy herë. Njëherë e sollën deri në Kukës dhe më pas e kthyen prapë në kampin e Bondsteell. Herën e dytë, Jaho Mulosmani ka ardhur në Tropojë ditën që është hapur kongresi i PS-së, i veshur, i rruar, i larë, i paarmatosur.

Në Tropojë u përplasën agjentët e SHISH-it me Policinë e Shtetit për Jahon. E morën dhe e sollën në Tiranë, e manipuluan gjithë natën dhe ai dha dëshminë siç ia kërkoi Fatos Klosi.

Por burgut të përjetshëm nuk i shpëtoi dot?!

Sepse ai e ndryshoi dëshminë. Në korridore një prokuror, Edmond Rizai, i bënte presion familjarëve të Jahos që “t’ia mbushnin mendjen që ta kryente detyrën deri në fund, sepse do rrezikohet në të kundërtën me burg të përjetshëm”.

Këtë presion ndaj familjarëve, ai e dëshmoi dhe në gjyq. Ju jeni akuzuar dhe dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

Në analizën tënde të gjithë këtyre viteve, përse u vra Azem hajdari?

Unë kam një bindje që ndoshta askush nuk e ka. Fatmir Haklaj nuk i tregonte askujt se çfarë plani kishte për të bërë, as njerëzve të ngushtë dhe as familjarëve të tij. Ai vepronte me kokën e tij ndërsa njerëzit që mbante nga pas i kishte si numra, por nuk dinin asgjë se çfarë kishte ndërmend të bënte Fatmir Haklaj.

Unë jam i bindur se Fatmir Haklaj ka zënë pritë jo për Azem Hajdarin, por për Sali Berishën dhe Azemi u bë “peshqesh” nga Sali Berisha në këtë atentat.

Përse e thoni këtë?

Azemi ka qenë në zyrë dhe po përgatiste me stafin e zyrës së shtypit të PD-së kasetën e mitingut në Fier për t’ia çuar Berishës që ta shikonte. Azemi ka marrë kasetën me kronikën dhe ka shkuar në zyrën e Berishës, ndërkohë që telefonin e tij celular e la në zyrën e tij. Ai kishte një javë që kishte marrë telefonin celular, ia kishte dhuruar një kosovar.

Në zyrë, Azemi ka lënë Mentor Dajën, një ish-oficer i SHISH-it dhe Fisnik Sinën, gazetar, mik i Berishës. Mentor Daja ka dalë jashtë godinës, ka parë makinën ku rrinte Fatmir Haklaj dhe ka marrë në celularin e Azemit dhe ka thënë që është një makinë e dyshimtë, me targa të Vlorës, VL 0676 A, është me fenerlinë dhe ka katër persona të armatosur brenda. Ai i thotë Fisnikut, se ai e ngriti telefonin që kishte lënë në zyrë Azemi, që lajmëroje Azemin për këta dhe të ketë kujdes.

Fisnik Sina, pas telefonatës shkon në zyrën e Berishës dhe i thotë se ishte një telefonatë për ty, ku më tha se një makinë me persona të armatosur ndodhet pranë godinës së PD-së dhe tha që të bëjmë kujdes. Berisha ka thënë: Dil Azem dhe sqaroje kush janë këta!!! Pse duhej të nxirrte Berisha Azemin që të dilte të sqaronte me personat e armatosur, kur ai mund të lajmëronte Kryeministrin, Presidentin, ministrin e Brendshëm që jemi rrethuar nga banda të armatosura etj., etj.. Kishte shumë mundësi që të vinte alarmin e institucioneve.

Azemi ishte në një periudhë të mirë marrëdhëniesh me Berishën, pasi ishin zënë shumë herë. Atëherë Azemi shkon në zyrën e tij, merr nga kasaforta pistoletën “Zastava” me silenciator dhe del në korridorin e katit të dytë të PD-së. Aty ka gjetur Sali Lushën me Genc Pollon. Por Genc Pollo erdhi në gjyq dhe gënjeu duke thënë se kishte qenë në seli 1 orë para rrëfimit të ngjarjes, duke e hequr veten nga ngjarja.

Azemi i thotë Sali Lushës, ku e ke automatikun? Sali Lusha i thotë e kam poshtë në bodrum. Shko merre dhe hajde jashtë se na rrezikohet doktori dhe PD-ja. Më pas, Azemi del jashtë duke montuar silenciatorin.

Çfarë ndodhi më pas?

Fatmir Haklaj, sipas dëshmisë që kanë dhënë, ka thënë: “Po ky ku shkon?!” Nga ky reagim i Fatmir Haklajt kupton se shënjestra e atentatit nuk ka qenë Azemi, por Sali Berisha. 10 ditë më parë, babai i Fatmir Haklajt kishte takuar Azemin dhe i kishte thënë se vrasja e djalit tim, Shkëlqimit, është urdhëruar nga Sali Berisha.

Shkëlqimi ishte vrarë në një pritë më 5 janar në Qafën e Luzhës. Fatmir Haklaj i thotë të tjerëve, mos dilni nga makina dhe del vetë. Nuk e di askush se çfarë është folur mes Azemit dhe Fatmir Haklajt, por pas pak çastesh Fatmiri i ka gjuajtur me breshëri automatiku. Nga makina, më pas ka dalë dhe Jaho Mulosmani, ka qëlluar. Sepse në vendngjarje janë gjetur dy lloj plagësh, që tregon se janë dy lloj armësh të përdorura dhe një njeri që mbante në dorë automatik nuk mund të gjuajë dhe me pistoletë në të njëjtën kohë.

Prokuroria tha që Jaho ka qëlluar me “Makarov”, por nuk është e vërtetë, pasi ai ka qëlluar me “Magnum” izraelit që ia kishin dhuruar. Në këtë moment ka ndërhyrë Besim Çerja, i cili i ka bllokuar dorën Jahos, por ai ka rrëshqitur duart dhe e ka qëlluar nga poshtë Besimin dhe e ka vrarë. Është plagosur edhe Zenel Neza.

Të nesërmen, Sali Berisha ka shkuar në spital dhe e ka incizuar vetë Zenelin të plagosur, por ajo dëshmi nuk ka dalë kurrë në dritë. Ai nuk ka përmendur vëllezërit Haxhia, por të tjerë njerëz. Pastaj, këtyre u interesonte që të zhdukej dosja hetimore e dy vetëve dhe të dilnin emra të tjerë në skenë. Që në fund të historisë të dilte që Azemin e vrau Berisha me njerëzit e vet.

Pra, ju thoni që vrasja e Azem Hajdarit i duhej faturuar Sali Berishës?

Kjo është njëra anë, por mos harrojmë që vrasja kishte lidhje dhe me trafikun e armëve, që ishte shumë intensiv në atë periudhë për shkak të konfliktit në Kosovë. Azemi ishte mik me Ahmet Krasniqin, krahun djathtë të Bujar Bukoshit. UÇK-ja e Bukoshit me UÇK-në e Thaçit ishin në konflikt me njëra-tjetrën.

Luftën e ka bërë UÇK-ja e Thaçit dhe Haradinajt, ndërsa ata të Bukoshit merreshin me trafikun e armëve, pasi dispononin dhe shuma të mëdha dollarësh nga 3% që paguante emigracioni kosovar për qeverinë Bukoshi. Krasniqi u vra, sepse bllokonte fondet e diasporës kosovare për të ndihmuar luftën.

Ka qenë një betejë e madhe se kush do kontrollonte trafikun e armëve për UÇK-në. Në këtë treg ka hyrë edhe Fatos Klosi, i cili mbështeste UÇK-në e Thaçit. Por Klosi i blinte me 900 lekë të vjetra automatikët nëpër depot pa inventar të Shqipërisë pas ‘97 dhe ia shiste me 1 mijë marka UÇK-së.

Edhe Ilir Konushevski, i cili ishte shefi i armatimit të UÇK-së u vra për trafikun e armëve, sepse ishin dy linja të trafikut, që e luftonin, ishte linja e Bukoshit që e pengonte, por ishte dhe linja e shërbimit inteligjent jugosllav, i cili donte të pengohej furnizimi i UÇK-së me armë. E likuiduan. Sapo u vra ai, ka hyrë në lojë dhe Fatos Klosi që trafikonte armët e Shqipërisë.

Klosi e mori Ilir Mustafarain nga drejtor i Qarkullimit Rrugor, dhe e çoi drejtor Drejtorie për Antiterrorin në Tiranë. Iliri çoi djalin e dajës së tij shef Komisariati në Gramsh, si një person të tyre që të siguronte akses për armët e depove në Gramsh, të cilat nuk u dëmtuan nga 1997.

Po përse duhet besuar ky version juaji i vrasjes së Azem Hajdarit?

Qëllimi i Sali Berishës ishte shumëplanësh: të hiqte qafe Azem Hajdarin, sepse Berisha i mori partinë kur ishte Azemi themeluesi i saj. Azem Hajdari ka thënë në Amerikë se do t’i fus plumbin në gojë Sali Berishës. Berishës ia kanë çuar këtë mesazh të Azemit dhe ai nuk të fal, kur merr kërcënime të tilla.

Duke e ditur se çfarë prite i ishte ngritur nga Haklajt, Berisha hiqte qafe Azemin, arrestonte dhe Haklajt si autorë të vrasjes së Azemit, duke akuzuar dhe pushtetin e kohës dhe ngrinte popullin si i viktimizuar për të marrë pushtetin. Është shumë diabolik. Pistoleta me silenciator është administruar si provë në ngjarje, por nuk është përmendur asnjëherë. Sepse prokurorët, para se të shkonin në sallën e gjyqit, shkonin më parë në zyrën e Berishës.

Këshilltari i një ministri, erdhi më takoi dhe më tha: Ismet, ruajeni Izetin, mos të qarkullojë as në Tiranë dhe as në Shkodër, sepse është vendosur ta likuidojnë. Në tavolinën ku është vendosur likuidimi i vëllait tim, Izetit, i Haklajve dhe i Nehat Kullës, ka qenë Berisha me Genc Pollon, Majko me Ilir Metën dhe Petro Koçi, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Brendshëm.

Petro Koçi dha dorëheqjen më pas, sepse e kishte mik Sherif Bashën, dhëndrin e Haklajve dhe nuk donte të bëhej pjesë e asaj vendimmarrjeje. Ka thënë që ne jemi shtet dhe duhet të luftojmë me ligjin e jo me vrasje. Më pas, e mori në dorë Spartak Poçi, i cili doli me deklarata duke thënë se kemi eliminuar 40 banda.

    Data: 07 Mars 2018 09:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera