Reagimi i kolegëve spiunë pas burgut, Maks Velo: Një skulptor më kërcënoi me thikë

“Jam tronditur aq sa akoma nuk e kam lexuar gjithë materialin imtësisht, dua të qetësohem që të vazhdoj”. 

GazetaExpress

Ndonëse ishte në dijeni për shkaqet e asaj që i ndodhi, dinte edhe emra të atyre, që kishin firmosur kundër tij, të tjerë i kishte nuhatur, por t’i kishte në duar ato faqe, plot 250, nuk ishte e njëjta gjë.

Maks Velo tashmë po përballet me të shkuarën e vet, me persekutuesit e vet. Autoriteti për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka mundësuar të ketë në dorë dosjen e ndjekjes dhe dënimit të tij gjatë diktaturës. Ishte si të hapje Kutinë e Pandorës. Rreth 20 emra dilnin aty.

“Nuk ka asnjë denoncim nga arkitektët, nga zyrat ku punoja për 15 vjet. Është e çuditshme, se të gjitha akuzat i kisha nga piktorët dhe skulptorët”, tregon Maks Velo në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Pasi më parë ka botuar disa faqe nga dosja e tij, duke përfshirë denoncime, informacione për Ministrinë e Brendshme, ekspertiza nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, madje edhe një deklaratë të tij në zyrat e hetuesisë, Velo rrëfen ndjesitë, që provoi kur mori në duar materialet. Çfarë zbuloi që nuk e dinte në këtë dosje; si ia doli të mbetej gjallë në burg; të mos rekrutohej në radhët e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit; cili ka qenë reagimi i kolegëve-spiunë.

Para disa ditësh, ju morët në duar dosjen tuaj, mbajtur nga ish-Sigurimi i Shtetit. Çfarë ndjesie ju shkaktoi tek shihnit 250 faqe materiale? U tronditët, apo pati një lloj çlirimi?

Gjatë gjithë këtyre viteve, që nga data e arrestimit, kam qenë kurioz se cilët ishin spiunët dhe çfarë kishin ofruar. Sigurisht që disa i kisha kuptuar me intuitë, por, sidoqoftë, materialet konkrete nuk i dija. Jam tronditur aq sa akoma nuk e kam lexuar gjithë materialin imtësisht, dua të qetësohem që të vazhdoj. Ndjeva një lloj çlirimi, sepse dua të marr hak. Të kuptohemi, pa vrarë njeri, por vetëm duke i bërë të njohura publikut faktet, që të njohin secilin, qoftë edhe mbas 38 viteve.

Pak a shumë, ju i keni ditur akuzat, jeni njohur me ekspertizat, por a zbuluat në këtë dosje gjëra që nuk i dinit?

Po, sigurisht, ka shume gjëra që nuk i dija. Janë mbi 20 persona që janë marrë me mua. Pastaj ka materiale sekrete si për shembull RAPORTI që Kujtim Buza i jep Ministrisë së Brendshme (që ju e botuat), atë nuk e njihja. Lojërat e rrezikshme që Sigurimi i Shtetit bëri me regjistruesin në shtëpinë time dhe të tjera.

Çfarë ju ka habitur, dhembur më shumë?

Më ka dhembur poshtërsia e artistëve, që i kisha miq të ngushtë. Ti si mendon, a mund t’i quash artistë këta?

Nga materialet që edhe janë botuar tashmë, pamë se ju jeni goditur nga dy drejtime, nga familja juaj, më saktë nga vjehrra, por dhe nga kolegët. Pse vjehrra juaj zgjodhi t’ju denoncojë në Lidhje dhe jo në Polici?

Ajo banonte në një pallat me Kujtim Buzën dhe pastaj ajo ish’ e lidhur edhe me Nevzat Haznedarin.

Çfarë libri ishte ai, që pretendohet se ju është gjetur dhe ju akuzuan për pornografi?

Libri ishte “KRIJIMI I BOTES” nga JEAN EFFEL. Librin e kisha blerë në vitin 1959 në LIBRI SOVJETIK, në Tasa. Effel është një nga karikaturistët më të mirë francezë të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Ishte botim rus, por me tekst frëngjisht. Me sa mbaj mend, kishte një cikël karikaturash sesi Zoti krijon njeriun mbi tokë. Mesa duket, figurat nudo të njerëzve primitivë u morën për pornografi. As në hetuesi, as në gjyq ai libër nuk m’u tregua dhe nuk është zënë në gojë, as në aktakuzë, as në vendimin e gjyqit.

Po, ndërkohë, vihet re një zell i madh nga ana e disa kolegëve, të paktën ata që dalin nga ekspertiza, për t’ju rënduar, jo vetëm nga ana profesionale, por edhe morale, karakteriale. Nga buronte ky zell? Ishin të detyruar apo kishin probleme personale me ju?

Të detyruar nuk ishin, por mesa kuptoj, unë kam krijuar gjithmonë një antipati te njerëzit, mesa duket, kjo nga fakti se rrija vetëm. Por nuk ishin kështu të gjithë, kisha dhe shumë miq dhe shokë të mirë si Ksenofon Diloja, Danish Jukniu etj.. Me këtë rast dua të falënderoj edhe një komshie, Gëzime Mema, ish-anëtare Partie, që më ka mbrojtur në një mbledhje në lagje.

Veç firmëtarëve të ekspertizës, ju keni përmendur edhe emra të tjerë kolegësh. Për çfarë ju denonconin? Dyshonit tek ata?

Janë shumë, nuk dyshoja. Por Alma, duhet të keni parasysh një detaj, këtë ia kam thënë edhe hetuesit. Nuk ka asnjë denoncim nga arkitektët, nga zyrat ku punoja për 15 vjet. Është e çuditshme, se të gjitha akuzat i kisha nga piktorët dhe skulptorët.

Shpeshherë përmendeshit si mik i F. Paçramit, keni pasur vërtetë shoqëri me të?

Dua ta përmend me respekt Fadil Paçramin. Sigurisht që nuk kisha ndonjë shoqëri të madhe, më tepër ishin takime të rastë- sishme në KLUBI, meqenëse rrija me Kadarenë apo K. Dilon etj.. Gjithmonë jam çuditur se si Fadili nuk parashikoi asgjë nga ato që ndodhën.

Maksi përse ishit kaq i sulmuar?

Në fakt, mjafton të shohësh punët që bëja dhe e kupton. Unë isha jashtë sistemit. Nuk ish’ vetëm problem personash, por edhe problem sistemi. Sistemi KOMUNIST që po ngrihej në Bashkimin Sovjetik krijoi një rregullore strikte për inteligjencën, artistët, shkencëtarët, arsimtarët, nëpunësit. Kjo fillonte me edukimin dhe vazhdonte me punën e tyre gjatë gjithë jetës. Kush donte të merrej me art, do bënte Liceun Artistik, pastaj Akademinë, pastaj do ish’ anëtar i Lidhjes.

Dhe pastaj do merrte pjesë në ekspozitat dhe për këtë do dekorohej dhe do merrte tituj. Unë nuk kisha bërë as Liceun Artistik, as Akademinë e Arteve, isha një person komplet produkt i vetvetes. Meqenëse nuk u akordova me sistemin, ai me nxori jashtë dhe më futi në burg. Pastaj, ishte edhe një faktor i përveçëm: Kujtim Buza. Kujtim Buza u vu aty nga Nexhmije Hoxha. Të dy, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, ndiqnin me kujdes ecurinë e arteve dhe letërsisë. Ata panë se as romanet, as filmat, as dramat, as operat nuk kishin atë impakt në propagandë si arti figurativ, monumentet, pllakatet, pikturat.

Nexhmija projektoi, që gjatë viteve 1973–1985, kur Enveri do të servirej si udhëheqës i proletariatit botëror, duhej që propaganda figurative të arrinte majat e saj. Kjo u bë. Njeriu që do ta udhëhiqte këtë fushatë, “Gëbelsi i Shqipërisë” do të ishte Kujtim Buza. Letërsia i ishte lënë në dorë Dritëroit, i cili me diskutimet e tmerrshme për “Pallatin e ëndrrave”, në Pallatin e Kulturës dhe për “Pashallarët” në Komitetin Qendror, të Kadaresë, tregoi se nuk toleronte askënd të dilte nga vija e kuqe.

Përse Kujtim Buza?

Buza ishte “Ministri i Brendshëm i Lidhjes”. Kur shkonte nëpër qytetet për të kontrolluar piktorët dhe skulptorët, sekretarët e parë të rretheve e prisnin me nderime si të dërguarin e “Sulltaneshës”. Ai, me rastin e raporteve që dha në rastin tim, tregoi se nuk kishte asnjë mëshirë. M’u dogjën 246 vepra, dhe për këtë mban përgjegjësi kryesore Kujtim Buza. Asnjë artisti, në gjithë Kampin Socialist, nuk i janë djegur veprat. Ai emëronte drejtorët e Galerisë Kombëtare. Galeria e Arteve në Tiranë i ka blerë 160 piktura. Asnjë shtet në botë nuk i ka blerë asnjë piktori kaq shumë vepra. Ky ishte shpërblimi që Nexhmija i dha, për “krimet” që bëri.

Ju vetë, nuk e kuptonit se ishte “betejë e humbur” të krijonit jashtë kornizave të realizmit socialist?

Unë e kisha shtysë të brendshme, kjo kuptohet nga ecuria e jetës sime, pastaj nuk më shkonte mendja se do përfundoja ashtu. Kthesën që mori Enver Hoxha nuk e parashikonte asnjë. As burra më të pjekur se unë, që u pushkatuan.

Në hetuesi ju lëshuat një deklarim, ku pranonit “gabimet” tuaja. Në çfarë situate e lëshuat atë deklaratë? Mendonit se do t’ju shpëtonte nga burgu?

Jo, nuk mendoja se do shpëtoja nga burgu, por të lehtësoja situatën. Në HETUESINË SOCIALISTE presioni ish’ i tmerrshëm. Por SPIUN nuk u bëra, se ma propozuan edhe gjatë HETUESISË.

Siç e thatë edhe më sipër, jo vetëm një herë janë përpjekur t’ju rekrutojnë si bashkëpunëtor të Sigurimit. Ku e gjenit guximin të thoshit jo? Nuk kishit frikë se mund t’ju dënonin sërish?

Unë nuk jam HERO, por disa norma i kam të ngulitura thellë nga edukimi, që më ka dhënë familja. Sado keq që iu bëra atyre: babait, mamasë, vëllait, motrave, nuk i turpërova, sakrificën e tyre e kisha parasysh vazhdimisht. Në Spaç pashë dy raste. Një i dënuar politik, që u hodh në telat se e ëma i tha në takim: na kanë thënë se je bërë spiun. Kam një tregim për të “Këpuca në tela”. Isha aty, e pashë kur e qëlloi ushtari. Dhe një ordiner që vari veten, po ashtu para se të lirohej, se e ëma i shkroi në letër: Na turpërove.

Maks, si i mbijetuat ju burgut dhe përndjekjes për vite?

Njeriu është i fortë, pastaj sheh edhe vuajtjet e të tjerëve dhe shtysa për të vazhduar jetën është e madhe. Ia dola dhe kam punuar shumë, nuk më mposhtën dot.

A ka ndonjë prej denoncuesve tuaj, që ju ka kërkuar falje?

Jo, asnjë.

Cili ka qenë ballafaqimi me ta?

Ata nuk më flasin. Njëri, një skulptor më nxori një thikë të gjatë: ta fut në bark, më tha. Hasan Nallbani, më 30 Qershor dhe 1 Korrik 2006, botoi dyherë të njëjtin artikull: “Velo dhe racizmi i tij”. Atje ai shkruan: “Shpeshherë kam menduar të botoj disa shënime të miat, nga kujtimet e një gjyqi, ku i akuzuari ka qenë Maks Velo, unë e disa të tjerë, një nga të ftuarit për të marrë mësime, për çdo devijim nga vija e përcaktuar e qëndrimit brenda rreshtit. Nuk di pse kam nguruar ta publikoj qëndrimin e tij dinjitoz në atë gjyq”.

Pastaj, më përcakton me pikëpamje raciste, i vetëshpallur piktor i madh, me qëndrime antikombëtare përçarëse, diletant, sektar, piktor amator etj.. Janë po akuzat e Buzës në EKSPERTIZËN E QJYQIT: pseudoartist, armik i artit, snob, me degjenerim moral e shpirtëror, liberal, i papjekur politikisht dhe ideologjikisht, i shkëputur nga jeta.

Çfarë do bëni tani me dosjen?

Dua ta botoj. Është një mësim i mirë.

Të tjera

Lajmet e fundit