Kthehu lart

Pse i tërhoqi “ushtarët” Lulzim Basha?!

Pse i tërhoqi “ushtarët” Lulzim Basha?! GazetaExpress

Protestuesit e thirrur në protestë nga opozita, me thirrjet për të rrëzuar qeverinë, ngelën të pakënaqur vetëm me tymueset që hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Thirrjes së Lulzim Bashës për të marshuar drejt sheshit “Skënderbej”, protestuesit iu bindën deri në momentin që iu afruan godinës së Ministrisë së Brendshme.

Të informuar se Fatmir Xhafaj ndodhej në zyrë, protestuesit rrëzuan njëra pas tjetrës të gjitha rrjetat e vendosura pranë ministrisë, duke u përballur menjëherë me efektivët e Policisë.

Në drejtim të godinës së Ministrisë së Brendshme, protestuesit qëlluan me shishe plastike, gurë, dërrasa, të cilat i gjetën lehtësisht në shesh për shkak të punimeve që po bëhen në qendër të kryeqytetit. Në ndihmë të efektivëve të Policisë erdhën edhe forcat speciale RENEA, të cilët me skafandra kanë bllokuar goditjet dhe objektet e hedhura nga protestuesit.

PROTESTUESIT

Me thirrjet “Burg për Edi Ramën”, “Qeveri e krimit” dhe “Poshtë qeveria”, protestuesit u përleshën disa herë me Policinë. Në një rast, protestuesit morën rrjetat për t’i hedhur në drejtim të efektivëve të Policisë, situatë që solli edhe përplasje fizike dhe përdorimin e shkopinjve të gomës.

Në rreshtin e parë të protestës ishte edhe gazetari dhe kryeredaktori i “RD”, Bledi Kasmi, i cili ngeli edhe i plagosur për shkak të përplasjes që pati me një prej efektivëve të Policisë. Shtyrjet e vazhdueshme sollën dëmtime edhe për disa protestues të tjerë.

Deputetët Ervin Salianji, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia u vendosën në krye të grupit të protestuesve për të mos lejuar përplasjen me efektivët.

Në të paktën dy raste, deputetët Salianji dhe Boçi janë për plasur edhe personalisht me disa prej efektivëve për t’i kërkuar të mos përdorin shkopat e gomës.

NDËRHYRJA

Përplasjet mes Policisë dhe protestuesve, të thirrur në shesh nga opozita, sollën sërish pranë godinës së ministrisë kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Duke parandaluar konfrontime më të forta mes turmës dhe efektivëve të Policisë, Basha u ka kërkuar protestuesve të tërhiqen dhe të shkojnë në selinë e PD-së.

Disa prej deputetëve demokratë iu është dashur të negociojnë personalisht me protestuesit, të cilët nuk kanë preferuar të largohen nga protesta.

“Përse duhet të largohemi? Ne nuk kemi frikë. Nuk na tremb mafia dhe narkoshteti”, ishin shprehjet që protestuesit u kanë thënë deputetëve të PD, duke refuzuar përfundimin e protestës. Pak minuta më pas ishte kreu i PD, Basha, që premtoi se beteja do të vazhdojë.

“Sot, shqiptarët folën, sot foli dhe Europa, nuk ka bisedime për integrim me autokratët e lidhur me krimin, që kanë kapur drejtësinë për të mbrojtur veten e tyre dhe të afërmit e tyre nga drejtësia e vërtetë. Për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, për shpresën për Shqipërinë tonë europiane, do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”, tha Basha./Panorama

    Data: 27 Maj 2018 09:51
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera