Kthehu lart

Problemet me ndihmën ekonomike, Rama: Edhe Banka Botërore reagon ndaj të pavërtetave

Problemet me ndihmën ekonomike, Rama: Edhe Banka Botërore reagon ndaj të pavërtetave GazetaExpress

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një reagim të përfaqësueses së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim.

Sipas Ramës kjo deklaratë u “mbyll” gojën padrejtësive që po fliten në lidhje me heqjen e ndihmës ekonomike.

BANKA BOTËRORE REAGON NDAJ TË PAVËRTETAVE MEDIATIKE PËR NDIHMËN EKONOMIKE

Deklaratë e Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri:
Ditët e fundit kemi vërejtur me shqetësim disa raportime të pasakta të publikuara në media në lidhje me Projektin e Modernizimit të Asistencës Sociale në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore.

Objektivi kryesor i këtij projekti është mbështetja e zbatimit të reformave për të përmirësuar barazinë dhe cilësinë e programeve të asistencës sociale në Shqipëri. Ky projekt mbështet përpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në Programin e Ndihmës Ekonomike, të varfërit që ishin përjashtuar më parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve. Projekti është hartuar mbështetur në eksperiencën ndërkombëtare që lidhet me fuqizimin e programeve të asistencës sociale.

Procesi pilot për zbatimin e formulës që përcakton të drejtën për përfshirje në Programin e Ndihmës Ekonomike ka filluar që në vitin 2014 në tri rajone (Tiranë, Durrës dhe Elbasan), të cilat përfshijnë gjysmën e popullsisë së vendit dhe që nga janari i këtij viti po shtrihet në shkallë kombëtare. Ky është një proces i gjatë me përmirësime të vazhdueshme për të shmangur pasaktësitë në targetimin e grupeve të duhura në nevojë.

Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit vlerësohet si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (Anketimi i Buxhetit të Familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të Ndihmës Ekonomike për 10 përqindëshin e grupit të më të varfërve është rritur nga 34 përqind në vitin 2009 (si viti bazë) në 45 përqind në vitin 2015. 

Ndërkohë, mbulimi i 10 përqind të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit.

Projekti i Modernizimit të Asistencës Sociale është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe ka nisur që prej vitit 2012 nga Ministritë përkatëse dhe Shërbimi Social Shtetëror. Banka Botërore ka ndjekur së afërmi procesin e zbatimit të tij, duke ofruar këshillim dhe mbështetje të vazhdueshme.

    Data: 06 Mars 2018 14:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera