Kthehu lart

Pas lirimit nga detyra, Rovena Gashi humb betejën ligjore me kryeprokuroren

Pas lirimit nga detyra, Rovena Gashi humb betejën ligjore me kryeprokuroren GazetaExpress

Gjykata Administrative e Tiranës i ka dhënë të drejtë kryeprokurores Arta Marta, në padinë e ngritur nga ish-drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë me organin qendror të akuzës Rovena Gashi, pas lirimit të saj nga kjo detyrë.

Gjykata vendosi që akti ligjor i Arta Markut, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, është i ligjshëm dhe në përputhje me kompetencat e saj. 

Gjykata argumenton se urdhri i Markut për lirimin e zonjës Rovena Gashi nga detyra si drejtoreshë në marrëdhëniet juridiksionale ka diskrecion personal dhe nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit, shkruan AbcNews. Në vendim sqarohet se Arta Marku, që ushtron funksionin e prokurores së përgjithshme ka kompetenca deri në krijimin e KLP-së, që do të hapë rrugën për zgjedhjen e kryeprokurorit me mandat të plotë.

Kështu Arta Marku mund të vendosë caktimin e prokurorëve në pozicione të caktuara, për mbarëvajtjen e punës. Në rastin konkret- siç argumenton gjykata administrative- lirimi i Rovena Gashit nga detyra si drejtoreshë është urdhër eprori.

Sipas gjykatës, Rovena Gashit nuk i janë shkelur të drejtat si magjistrate. 

Pas vendimit të Gjykatës Administrative avokati i Gashit, Çlirimi Gjata në një prononcim për mediat, tha se gjyqtarët po i shërbejnë në mënyrë të turpshme pushtetit me besimin se do ti shpëtojnë vettingut.

"Këta gjyqtarë që i shërbejnë pushtetit në këtë formë të turpshme kujtojnë se do të shpëtojnë por askush nuk do ti shpëtojë vettingut. Gjyqtarët kanë nxjerrë tezgat dhe shesin dinjitetin e tyre. Kujtojnë se do të shpëtojnë nga vettingu me këto vendime".
Gjata shtoi më tej se vendimi i sotëm krijon precedentin për çdo drejtues që të bëjë çfarë të dojë me punëmarrësin. 

"Thelbi i këtij vendimi ishte se ky është rregullim i brendshëm në punën e administratës. Asnjë punëmarrës nuk është i sigurtë sot përballë drejtuesit. Me këtë vendim çdo drejtues mund të bëjë gjithçka me punëmarrësin. Çdo drejtues institucioni mund të bëjë çdo gjë dhe e quan si pjesë e rregullit të brendshëm të institucionit që ai drejton. Dhe kjo quhet rregullim i brendshëm", tha Gjata.

    Data: 08 Mars 2018 13:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera