Kthehu lart

Negociatat shqiptaro – greke, Mustafaj: Presidenti Meta ndihmoi në rritjen e transparencës

Negociatat shqiptaro – greke, Mustafaj: Presidenti Meta ndihmoi në rritjen e transparencës GazetaExpress

Publicisti Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” , foli për negociatat me Greqinë për detin dhe rolin e Presidentit Ilir Meta në këtë proces.

Mustafaj shpjegoi se Presidenti ka ndihmuar në rritjen e transparencës në lidhje me kërkesën për autorizim për plotfuqishmëri për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Presidenti në negociata nuk ka rol ekzekutiv, ai jep vetëm autorizimin për një proces. Presidenti ndihmoi në rritjen e transparencës, në qetësimin ose dhe në acarimin e opozitës. Nga deklarimet e të dy palëve, PD apo LSI, pashë se kishte një tendencë për një interpretim të ndryshëm, dhe kjo nuk i bën mirë procesit.

Ne pamë sot që opozita pretendon se nuk i janë dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme Presidentit që ai të japë autorizimin në përputhje me Kushtetutën. Pamë dhe Kodhelin që tha çdo gjë është në përputhje me Kushtetutën,” tha Mustafaj.

Ish-deputeti i PD, gjithashtu i bëri një kritikë në formë këshille ministrit Bushati për temperamentin e tij, duke thënë se duhet të tregohet më i duruar përballë të tjerëve.

“Kritikat e mia për Bushatin janë për temperamentin e tij. Ai tregon se është më i ri se sa duhet për detyrën që mban. Jep shpesh shenja padurimi. Jep shenja që nuk duhet t’i japë, besoj se i ka në temperament, se një ministri të Jashtëm nuk i lejohet kurrë të bëhet nervoz e të humbasë durimin. Ministrat e jashtëm nuk duhet të bien në kurthin e padurimit përballë të tjerëve. Është e vetmja kritikë apo sugjerim që kam për të, pasi më duket një ministër i mirë i jashtëm,” tha Mustafaj.

Sipas Mustafajt ky proces do të zgjasë shumë për 3 arsye: “Besoj se ky proces do të zgjasë për shumë arsye, se është çështje jashtëzakonisht delikate. Ju po e shihni çfarë po i bëjnë ministrit të jashtëm grek dhe këtij tonit, se preket nacionaliteti. E dyta që e ndërlikon më shumë është se kjo marrëveshje bëhet për herë të dytë. E treta kemi përballë një interlokutor që ka të njëjtat probleme si ne dhe nxit ndezjen e emocioneve. E rëndësishme është që gjërat të bëhen mirë”.

    Data: 02 Mars 2018 17:41
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera