Kthehu lart

Ndrenika: Më kishin thënë se kryeministri e urren Teatrin, të ndërtohet vetëm nga shteti

Ndrenika: Më kishin thënë se kryeministri e urren Teatrin, të ndërtohet vetëm nga shteti GazetaExpress

“Teatri Kombëtar do të prishet dhe në gjurmën e saj do të ngrihet një i ri”

Më këto fjali, kryeministri Edi Rama, e nisi ditën e djeshme, prezantimin e projektit për Teatrin e Ri Kombëtar, ku bëri me dije se ndërtimi i tij, do të realizohet falë partneritetit publik-privat.

Gjatë prezantimit, aktori i madh Robert Ndrenika, i cili ka qenë një ndër zërat që ka folur më shumë për Teatrin e Ri, nuk u lejua të fliste nga kryeministri Rama.

Pas largimit të kryeministri nga salla, ka folur edhe Ndrenika, i cili ka kundërshtuar mënyrën e ndërtimit të Teatrit me metodën e partneritetit me privatin.

Për të, Teatri duhet të ndërtohet nga qeveria shqiptare, duke shtuar se aq lekë sa mund të kushtojë ndërtimi i tij, gjenden nga shteti.

Ndrenika tha se nga kolegët e tij kishte dëgjuar se kryeministri nuk e donte teatrin, por sipas tij, nga prezantimi që i bëri ai projektit të ri, kishte vënë re një tjetër qasje nga Rama për teatrin.

“Do t’i them nja dy fjalë, por do kisha dashur të ishte këtu edhe Kryeministri, por ai iku se ka punë të tjera. Faleminderit për këtë ftesë që na bëri. Unë jam i distancuar për arsye shëndetësore, por kisha dëgjuar nga shumë kolegë të mi aktorë, që më thoshin se Kryeministri nuk e do, e urren teatrin, nuk i do aktorët, seç ka një alergji ndaj tyre.

Por, me këtë të sotmen, unë e pashë se ai e do teatrin. Por, kjo që pashë më së tepërmi m’u duk, si një kartolinë, për këtë mund të flasin arkitektët, por unë për vete do të doja që të shihja edhe maketin, që të dija se si është skena dhe se si janë xhepat anash, që na duhen ne si aktorë. Ndërsa, puna e restoranteve këtu është tjetër gjë.

Por mua më shqetëson shumë partneriteti me privatin, sepse unë jam i bindur që shteti shqiptar nuk e ka problem që të bëjë një Teatër Kombëtar dhe këtë nuk ma heq njeri nga mendja. Shembull kam Maqedoninë fqinjë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen e Ohrit, por për shqiptarët po bën një teatër shumë të mirë.

Po e bën vet pa partneritet privat, prandaj do t’i lutesha shumë Kryeministrit, edhe zonjës ministre të Kulturës, që të heqin dorë nga partneriteti me privatin edhe të gjejnë fonde. Pesë milionë i kanë nga greku, le të marrin edhe 25 mijë lekë borxh edhe t’i lajnë me afate. Kjo që pashë këtu ishte një dyndje, një xhungël urbane.

Ajo del e bukur, se unë thashë: Kartolinë! Por, do të shihni se çfarë do të bëhet atje! Pra, unë jam i mendimit, që, ndoshta, edhe të shtyhet kjo edhe ca kohë, por ama shteti të bëjë Teatrin Kombëtar.”, -është shprehur Ndrenika.

/GazetaExpress/

    Data: 13 Mars 2018 10:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera