Kthehu lart

"Na grabitën 110 mln lekë, me ato para do paguajnë gjyqet në Fier"

"Na grabitën 110 mln lekë, me ato para do paguajnë gjyqet në Fier" GazetaExpress

“Drejtësia të detyrojë dy autorët që na grabitën 110 milionë lekë dhe makinën luksoze, të tregojnë vendin se ku i kanë fshehur dhe të na i kthejnë ato.

Ne kemi informacione se ata do t’i përdorin këto para për të paguar prokurorë e gjyqtarë, me qëllim për të fituar lirinë”. Kështu shprehet Flora Kalemaj, bashkëshortja e Xhemal Kalemaj, të cilëve, më 29 maj të vitit të kaluar, iu vodh shuma e majme e parave. E zonja e shtëpisë shprehet se ato para ato i kanë grumbulluar falë punës së tyre shumëvjeçare, me një dyqan produktesh ushqimore. Paratë, ajo bashkë me të shoqin, i kishin bërë gati për të shlyer një kredi dhe për të bërë disa pagesa të tjera, por mesa duket, dy autorët e arrestuar pak ditë më parë, Renaldo Latifi dhe Xhuljan Muça, kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve dhe planeve të tyre familjare.

Flora, si ndodhi ngjarja ditën kur ju grabitën paratë e makinën?

Ishte ora 07:40, kur unë dhe bashkëshorti u nisëm për në punë. Jetojmë këtu në Fier, në lagjen “Afrim”, por dyqanin e mallrave bujqë- sore e kemi në Levan. Mëngjesin e 29 majit të 2017- ës, ne kishim brenda makinës 100 milionë lekët. I kishim marrë me vete sepse do shlyenin disa fatura të papaguara dhe një kredi që na kishte mbetur.

Dhe ç’ndodhi më tej?

Kur vajtëm, parkuam përballë dyqanit. Në të njëjtën kohë, prisnim një kamion me mall për ta shkarkuar dhe rastisi që erdhi në të njëjtën kohë me ne. Mbyllëm makinën tonë dhe filluam të shkarkonim mallin e ardhur dhe ta sistemonim brenda. Kjo zgjati rreth 30 minuta. Kur shkoi im shoq të marrë makinën, u habit sepse ajo nuk ishte para dyqanit. U alarmuam shumë.

E lajmëruat Policinë?

Po, morëm Policinë, ndërkohë gjetëm një shok aty dhe iu lutëm që të na çonte në shtëpi të merrnim makinën tjetër, kemi një të vjetër këtu. Kur erdhëm këtu, ç’të shihnim. Shtëpia ishte shkatërruar e gjitha. Kthyer përmbys çdo gjë. Ishte e tmerrshme.

Çfarë i kishte ndodhur shtëpisë? Kishin vjedhur sende të tjera?

Po, kishin vjedhur çdo gjë të vlefshme dhe shkatërruar gjithçka. Te një sirtar ne mbanim 8 mijë euro. Edhe ato i kishin marrë. Pastaj kishin gjetur çelësat rezervë të makinës që na vodhën. Kjo na çon në dyshimin se autorët kanë ardhur në shtëpi fillimisht dhe pasi kanë grabitur aty çfarë kanë gjetur, kanë marrë edhe çelësat e makinës

Pra, ju vetë ngrini dyshime që autorët erdhën fillimisht në shtëpi dhe aty morën çelësat e makinës që kishte 100 milionët brenda?

Po. Sepse ajo makinë ishte e kushtueshme dhe nuk kishte shanse që të hapej. Ishte një makinë e mirë dhe ne i kishim paratë më të sigurta atje sesa në shtëpi. Ata kanë gjetur çelësin rezervë në shtëpi dhe makinën e kanë hapur me të./Panorama

    Data: 22 Prill 2018 22:40
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera