Kthehu lart

Kokëdhima: Edhe një herë për 100 mijë ndërmarrjet e vogla që rrezikojnë të mbyllen

Kokëdhima: Edhe një herë për 100 mijë ndërmarrjet e vogla që rrezikojnë të mbyllen GazetaExpress

Kreu i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka ngritur edhe një herë shqetësimin e vendosjes së TVSH-së ndaj bizneseve të vogla, duke theksuar se pasojat do të jenë shkatërruese.

Në deklaratën e tij për media, Kokëdhima përmend edhe faktin që në ditët e fundit Komisioni Evropian u ka dhënë vendeve anëtare të drejtën për të ulur TVSH-në mbi bizneset e vogla. 

Deklarata e plotë

Ditët e fundit Komisioni Europian u ka dhënë vendeve anëtare të drejtën për të ulur TVSH-në mbi bizneset e vogla, dhe ka miratuar procedura më të thjeshta për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së. Ndërsa qeveria shqiptare, në një lëvizje të paprecedentë, nga 1 prilli do të ulë pragun e TVSH-së nga 5 milionë në 2 milionë lekë. ZGJIDHJA e ka kundërshtuar fuqishëm TVSH-në te bizneset e vogla, pasi kjo është një masë e qeverisë për të favorizuar bizneset e mëdha. 

Pasojat do jenë shkatërruese. 
Sot, sipas INSTAT, në Shqipëri ka rreth 100 mijë biznese me 1 deri në 4 të punësuar, pothuajse gjysma e të cilëve operojnë në sektorin e tregtisë, që e kanë gjetur këtë aktivitet si një formë mbijetese. Pjesa më e madhe e tyre janë në kryeqytet. Por, nga 1 prilli, çdo biznes që realizon më shumë se 40 euro xhiro në ditë, do të jetë i detyruar të futet në skemën e TVSH-së. Përveç barrës së shtuar të taksave, deklarimeve komplekse që do i detyrojnë të paguajnë më shumë për kontabilitetin, ata do të bien pre e presionit të administratës tatimore. 

Qeveria kërkon të nxjerrë dhjamin nga pleshti, pasi të gjitha këto biznese nuk sjellin më shumë se 2% të totalit të të ardhurave në buxhet.
ZGJIDHJA ka një plan që do të shpëtonte këto biznese të vogla, që janë aq të rëndësishme në vend për vetëpunësimin e mbi 150 mijë njerëzve. Së pari, kufiri i TVSH-së do të rritet sërish. 

Së dyti, për të gjithë të vetëpunësuarit do të ngrihen qendra tregtimi me infrastrukturë funksionale, që do të jenë të përjashtuara nga taksat, një model i ngjashëm me zonat e lira ekonomike, që sot përdoren vetëm për kompanitë e mëdha dhe të huaja. Bizneset e vogla janë shumë të rëndësishme, sepse ato punësojnë njerëzit.

Së treti, do të implementojë një paketë masash dhe politikash për nxitjen dhe zhvillimin e shpejtë të mikro bizneseve.
#ZgjidhjaPërMikrobiznesin

    Data: 22 Janar 2018 12:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera