Kthehu lart

“Jeruzalemi”, deputeti i PD kërkon llogari, Bushati: Shqipëria në një linjë me BE-në

“Jeruzalemi”, deputeti i PD kërkon llogari, Bushati: Shqipëria në një linjë me BE-në GazetaExpress

Shqipëria u përfaqësua dje në nivel ambasadori në Samitin e Konferencës Islamike ditën e djeshme dhe në këtë takim diskutimi kryesor ka qenë çështja e nxehtë mes Palestinë e Jeruzalemit, në një kohë kur edhe SHBA ka njohur këtë qytet si kryeqendrën e Izraelit, një fakt që nuk është pranuar kurrë nga bota muslimane.

Në kuvend nuk mund të mungonin debatet mbi këtë çështje, sidomos në kushtet kur qeveria nuk ka bërë një deklarim publik sesi qëndron në lidhje me këtë çështje. Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka kërkuar shpjegime.

“Qëndrimi ynë në Konferencën Islamike ishte kundër politikës së SHBA. U bënë hapa negativë nga vendi ynë në këtë drejtim. Qëndrimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike u bë pa u konsultuar”, tha deputeti Shehu.

Reagimi ka ardhur nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili ka deklaruar se Shqipëria nuk ka ndryshuar asnjë lloj qëndrimi dhe se është në linjë me vijën e BE-së mbi këtë çështje, e cila është kundër vendimit të TRUMP për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i shtetit izraelit.

“Së pari, anëtarësia jonë në konferencën islamike që tani është Organizatë e Bashkëpunimit Islamik daton në vitin 1992. Unë kam qenë gjimnazist dhe ju keni qenë në qeveri. Historia është shumë interesante. Shqipërinë në këtë konferencë e ka anëtarësuar zoti Berisha. Niveli ynë i përfaqësimit tradicionalisht ka qenë jo politik. Ftesat kanë qenë për Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm, por niveli ynë i përfaqësimit dihet.

Nëse i referoheni vitit 1967, mund t’ju them se ka 4 rezoluta detyruese të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit ka rezoluta detyruese. Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian. Ky ka qenë tradicionalisht qëndrimi i Shqipërisë. Persona të ndryshëm më kanë pyetur përse nuk jemi shprehur. Por unë mund t’ju them që kjo qeveri nuk vuan nga gjigandomania që për çfarëdo lloj gjëje që shfaqet, qeveria të dalë me një qëndrim, duke pasur parasysh se qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast është ai qëndrim i pandryshuar ndër vite, i reflektuar tek vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Ka 4 rezoluta zoti Shehu. Po shtoj edhe diçka tjetër meqenëse i referoheni Ambasadorit tonë dhe pjesëmarrjes së tij në konferencë. Kjo është detyra e Ambasadorit. Në përputhje me Konventën e Vjenës, Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm dhe ambasadori kanë plotfuqishmëri. Kjo është edhe arsyeja përse ai quhet i plotfuqishëm. Nuk do të vijë asnjëherë në Komision Ambasadori për të marrë mendim për këtë çështje.

Dhe, së fundi, po e përsësis sërish se nuk ka një qëndrim të ri nga ana e Shqipërisë. E kemi bërë këtë diskutim edhe për Palestinën në OKB me shumë prej jush. Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB, në lidhje me 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që i referohen 1967-s, në përputhje me linjëzimin tonë të politikës së jashtme 100% me atë të Bashkimit Evropian.

E përsëris edhe një herë, thjesht për informacionin tuaj dhe kërshëri shkencore: në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik nuk votohet”, u shpreh ministri Bushati./Gazeta Express

    Data: 14 Dhjetor 2017 14:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera