Kthehu lart

"E katërta herë që përmbytemi, KESH të ketë turp që gënjen" Kjo është drama në Shkodër

"E katërta herë që përmbytemi, KESH të ketë turp që gënjen" Kjo është drama në Shkodër GazetaExpress

Ende nuk ka zbardhur dita. Presim në hyrje të fshatit Obot i Vjetër, në njësinë Ana e Malit në Shkodër. Sa herë që hidrocentralet bëjnë shkarkime, ky fshat është i pari që bllokohet.

Që prej dy ditësh, rruga që të çon në Obot është bllokuar nga uji. Bashkë me ushtarët, marrim rrugën drejt fshatit. Nga lartësia e mjetit, me sy të lirë shihen qartazi tokat e përmbytura dhe të mbjellat nën ujë. Mjaftojnë pak minuta për të kaluar në valën e parë të ujit që arrin deri në 50 cm lartësi. Uji është i pastër, ashtu si është shkarkuar nga hidrocentrali i Vaut Dejës.

Duhen rreth 20 minuta për të shkuar në qendër të fshatit. Shtjefën Zefi, njëri prej banorëve të zonës thotë se nuk ka mundësi tjetër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, por vetëm me makinën e ushtrisë. Sipas banorëve të Obotit, pretendimet e KESH se përmbytja në Anën e Malit është natyrale nga reshjet dhe mosfunksionimi i kanaleve është i turpshëm. Ata fajësojnë hidrocentralet për keqmenaxhim, duke u detyruar të bëjnë shkarkime kryesisht gjatë natës.

NË OBOT

“Unë nuk i çoj vetë fëmijët në shkollë, sepse rruga është e bllokuar nga uji. Makinë tonën s’kemi, mjete tjera jo, s’kemi si t’i çojmë. Falënderojmë ushtrinë që na është gjendur pranë me mjetin e saj. Përmbytja ka ardhur nga dora e njeriut, pra nga hidrocentralet. Është e katërta herë që përmbytemi në një vit. Pa pikën e turpit, KESH thotë se përmbytjet nuk janë shkaktuar nga hidrocentralet, por nga reshjet e shiut dhe problemet me kanalet kulluese. Kjo nuk është e vërtetë.


Deklarojnë që KESH po punon me kapacitet të plotë për të siguruar shuma marramendëse parash, por në kurrizin e këtij populli që ka mbjellë grurë e jonxhe që janë baza e jetesës dhe sot të gjitha janë nën ujë. KESH mburret se shet energji, ndërsa populli shtypet duke vuajtur për bukën e gojës. Jonxha është një kulturë 5-vjeçare dhe jo 6 muaj. Hidrocentrali na mbyt, ndërsa nuk mendojnë se ku do hamë ne dhe se si do të jetojmë. Ne ende nuk jemi dëmshpërblyer për përmbytjet e 2010-ës, ndërsa kur erdhi puna për energjinë elektrike, i kam paguar shtetit 3 milionë lekë të vjetër”, shprehet Gjergj Pjetri.

Ndërsa, Shtjefën Zefi jeton me frikën se uji përveçse tek rruga, mund të vërshojë në banesat e fshatit ashtu si para 8 vitesh. “Janë hapur portat e hidrocentraleve, ndaj rruga është bllokuar nga uji dhe fëmijët janë të detyruar të shkojnë në shkollë me ushtrinë. Sikur HEC-et të ishin menaxhuar më mirë, s’do ishte kjo situatë që është sot. Ne e dimë se kur ra gjithë ajo borë do kishte prurje më shumë, por të hapen në këtë mënyrë portat e hidrocentraleve nuk është aspak normale. Nëse vazhdohet kështu, atëherë uji na vjen tek banesat. Përmbytja është vetëm nga hidrocentralet, sepse kanalet kulluese janë të pastruara. Ne kemi pësuar dëm shumë të madh, sepse kemi të mbjellat që tashmë nuk mund t’i shesim”, pohon Shtjefën Zefi.

FËMIJËT

Peterson Gocaj është i pari që pret mjetin e ushtrisë bashkë me dy vajza të vogla. I është dashur të zgjohet shumë më herët se zakonisht. Ai ishte 4 vjeç, kur ndodhën përmbytjet e para në Shkodër. Një prej zonave që mbuloi uji është edhe Ana e Malit. Petersoni nuk e ka harruar shkatërrimin e fshatit të tij edhe pse ishte i vogël. Sot (dje) pas 8 vitesh nuk i duhet të hipë në lundër, por në makinën e ushtrisë për të shkuar në shkollë.


Ai thotë se janë 14 fëmijë, të cilët i merr makina e ushtrisë dhe i dërgon tek shkolla 9-vjeçare në qendër të njësisë administrative Ana e Malit. “Unë shkoj në shkollë me makinë të ushtrisë. Është dita e dytë që ne shkojmë me mjete të tilla nga fshati ynë në shkollë. Rruga është e bllokuar nga uji dhe nuk kalohet ndryshe. Unë jam në klasën e 5-të dhe kam qejf që të shkoj në shkollë dhe të mos humb asnjë orë mësimi”, thotë Petersoni 12-vjeçar.

USHTRIA

Edhe ushtarët kanë frikë, ndërsa njëri prej tyre tregon se si në 2010-ën kishin shkuar për të ndihmuar një familje, ndërsa një grup tjetër ka rrezikuar të mbesë brenda fshatit nën mbretërinë e ujit. “Erdhëm këtu në Anën e Malit për të evakuuar një familje. S’kishin kaluar as 30 minuta, kur një grup tjetër që ndodhej në njësinë Dajç na thërret për ndihmë urgjente, sepse uji po i rrethonte me një furi në të katërta anët dhe rrezikonin jetën.

Shërbimet shkuan shpejt dhe shpëtuan, por uji nuk të fal. Mund të duket 50 cm, por fare shpejt kur s’e pret të zë brenda”, rrëfen ushtari që nuk dëshiron të identifikohet. Fëmijë, burra, gra dhe të moshuar janë sistemuar në mjetin e ushtrisë për t’u bërë gati për të shkuar në destinacionet e tyre. Katër ushtarë qëndrojnë në fund të mjetit për t’i asistuar banorët dhe për të qenë aty për çdo problem. “Kjo nuk është jetë”, thotë një grua, e cila po shkonte në punë, ndërsa e irrituar u drejtohet banorëve të tjerë “është e kotë të flas se askush se dëgjon zërin tonë”.

Edhe pse hapësirë nuk ka shumë në mjetin e ushtrisë, rrugën kalon pa e kuptuar dhe pas një ore e gjysmë rikthehemi në qendër të njësisë. Fëmijët zbresin për të shkuar në shkollë dhe banorët në punë me shpresën se kur të kthehen, do të gjejnë ujë më pak në fshatin e tyre./gsh.al

    Data: 07 Mars 2018 11:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera