Kthehu lart

Dalin fakte të reja, zbulohen edhe dhjetëra diploma të falsifikuar nga Universiteti ‘Kristal’

Dalin fakte të reja, zbulohen edhe dhjetëra diploma të falsifikuar nga Universiteti ‘Kristal’ GazetaExpress

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, ka deklaruar ditën e sotme se 86 diploma që janë lëshuar nga Universitetit ‘Kristal’, nuk janë të vlefshme.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë se ka regjistruar diploma të falsifikuar nga Universiteti “Kristal”, pas mbylljes së këtij institucioni në vitin 2014.

Pas arrestimit të pronarit të këtij Universitetit, Ahmet Muça, i cili u kap në flagrancë duke dhënë diplomë të falsifikuar, në media doli lajmi se ishin ndryshuar numrat e ‘Hamzës’ në Ministri.

“Ministria e Arsimit refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014. 

Si rezultat i të cilit, u mbyllën 23 universitete, 22 privatë, 1 publik dhe 6 filiale.

Ju bëjmë me dije se nga 1 shatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve.

Ministria e Arsimit kërkoi nga institucionet e mbyllura që të dorëzojnë të gjithë regjistrat që disponojnë me emrat e studentëve. Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare.

Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat. Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, regjistrat u depozituan në arkivin e Ministrisë së Arsimit.

Prej kohës së mbylljes së këtij universiteti, institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara. Në ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon.”, shkruhet në njoftimin e ministrisë. /GazetaExpress/

    Data: 07 Mars 2018 17:29
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera