Kthehu lart

Buxheti shqiptar në dorë të FBI-së?! Rama i kthen përgjigje Bashës

Buxheti shqiptar në dorë të FBI-së?! Rama i kthen përgjigje Bashës GazetaExpress E martë, 14 Nentor 2017 10:02

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur shpërthime imagjinate deklaratat e djeshme të liderit të opozitës Lulzim Basha i cili kërkoi që buxheti i shtetit duhet të administrohet nga Prokuroria, FBI dhe DEA amerikane, në mënyrë që të shmanget sipas tij pastrimi i parave.

Nga një takim me bankat, kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë shans që me buxhetin e shtetit të ndodhë një skemë e tillë. Madje, duke ju referuar pretendimit të Bashë, Rama me ironi tha se bankat janë në duart e krimit.

“Nëse ka një sistem ku ekonomia informale apo ajo e zeza s’ka shans të penetrojë ky është sistemi bankar dhe nëse ka në Shqipëri një sistem për tu marrë shembull për nga qëndrueshmëria e shëndetshme në raport me ligjin dhe transparencën sa i përket burimeve të fitimit ky është sistemi bankar. Dje kam dëgjuar që imagjinata që nuk më mungonte s’ma kishte thënë kurrë që mund ta dëgjoja, që projekt buxheti të administrohet nga strukturat ligjzbatuese FBI -DEA si një projekt që dëshmon se buxheti përmes sistemit bankar… programi ynë është tanimë në duart e krimit. Tani ju të gjithë këtu jeni në duart e krimit dhe jo vetëm ju që jeni pa kufje apo edhe ata që janë me kufje, madje ata që janë me kufje janë më të dyshuarit, është për të qeshur edhe për të qarë se këto janë sinjalet më dëmtuese për konsumatorin. Ndaj dua tu them atyre që janë të detyruar të dëgjojnë të tilla shpërthime të imagjinatës të qeshin e të shkojnë përpara se realiteti ekonomik është optimist”, tha kryeministri.

Një ditë më parë, kreu i PD tha se buxheti duhet administruar nga Prokuroria dhe FBI e DEA si provë ligjore e pastrimit të parave.

“Projekt-buxheti i 2018-ës jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës. Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës,” tha Basha.

Ndërkohë gjatë aktivitetit të sotëm Rama tha se në 2018 do të ketë katërfishim të rritjes ekonomike. falë reformave agresive të ndërmarra. Sipas kreut të qeverisë, kreditë e këqija kanë rënë me 10 pikë. Rama paralajmëroi kompanitë e mëdha se do të marrë fund epoka e bilanceve të dyfishta. /Gazeta Express

    Data: 14 Nentor 2017 10:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera