Kthehu lart

Drejtori i "listës së zezë" së Ramës rroga administratës me djersën e punëtorëve heronj

Drejtori i "listës së zezë" së Ramës rroga administratës me djersën e punëtorëve heronj GazetaExpress E shtune, 12 Gusht 2017 20:41

Marrja e pagës në fund të muajit, është i vetmi moment kur çdo punonjës shijon mundin e punës përgjatë 31 ditëve. Por në Ujësjellësin e Malësisë së Madhe, punonjësve të terrenit nuk u është dhënë paga.

Ndryshe paraqitet situata për administratën, të cilëve jo vetëm që i është dhënë rroga e muajit korrik, por ata kanë marrë edhe rrogën e muajit gusht, paradhënie, në mënyrë që të shijojnë pushimet.

Dy punonjës të Ujësjellës Kanalizimeve në Kastrat, kanë denoncuar për Express, atë se çfarë po ndodh me këtë ndërmarrje. Ata thonë se kanë shkuar në bankë të tërheqin rrogën e muajit korrik, por llogaria e tyre ka qenë bosh. Atyre u është bërë e ditur, se Administratori i Ujësjellësit, ka paguar në fillim të gushtit, edhe pagën e muajit korrik, edhe të gushtit, vetëm për administratën. Duket se rrogat paradhënie që i janë dhënë administratës për të mos pasur probleme gjatë pushimeve, i janë ‘vjedhur’ 70 punonjësve të thjeshtë, të cilët ende nuk kanë shijuar korrikun.

Ndërsa administrata punon në zyrë, në komoditet e ajër të kondicionuar, shpërblimi është menduar për ta, dhe jo për heronjtë e këtyre ditëve përvëluese, punonjësve të Ujësjellësit, që përballen me kushte të vështira.

Njëri prej punonjësve që ka nxjerrë në dritë këtë skandal thotë se edhe babai i tij ka punuar në këtë sektor dhe shprehet se kjo situatë nuk është parë asnjëherë në këtë ujësjellës.

Emri i Administratorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Malësi të Madhe, Lekë Prela, u shfaq në listën e zezë të kryeministrit Edi Rama në Facebook, emra që u bënë publik pas ankesave që qytetarët i adresuan kreut të qeverisë për një listë të gjatë zyrtarësh që sipas tyre abuzonin me detyrën. 

/Gazeta Express

    Data: 12 Gusht 2017 20:41
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera