Kthehu lart

"7 marsi të shërbejë si ditë reflektimi për pagat e mësuesve dhe ndalimin e përdorimit politik"

"7 marsi të shërbejë si ditë reflektimi për pagat e mësuesve dhe ndalimin e përdorimit politik" GazetaExpress

Përmes një statusi në rrjetin social, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka uruar të gjithë mësuesit për festën e 7 Marsit, duke theksuar se pavarësisht momenteve të gëzueshme, kjo ditë duhet të na vërë përpara përgjegjësisë për t’u kujdesur më shumë për ata që mësojnë brezat e rinj.

Kryemadhi shkruan se të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe në këtë 7 mars, politika dhe qeveria duhet të mendojnë për rritjen e pagës së mësuesve dhe heqjen dorë nga përdorimi politik i tyre.

Për më tepër lexoni statusin dhe kartolinën e Monika Kryemadhit:

Një urim i veçantë sot për të gjithë mësuesit në Shqipëri, që çdo ditë me përpjekjet e tyre ndihmojnë në arsimimin e gjeneratës së re.

Urimet sot u shkojnë dhe mësuesve që janë në pension, ata që në kushte të veshtira u përpoqën të ndiznin zjarrin e diturisë te brezat që shkolluan.

Kjo ditë është shenjë e respektit tonë për sakrificat e çdo edukatori, që përtej kufizimeve ekonomike dhe politike u mundua të sillte dijen për brezin e ri.

Për ata mësues që përveç detyrës, ndihmuan dhe sakrifikuan edhe gjatë diktaturës për të mos bërë dallime mes fëmijëve të të persekutuarve, që u ngritën mbi çdo vështirësi dhe kapërcyen pengesat ideologjike për të qënë modeli i fëmijëve në jetë.


Për mësuesit e sotëm, që përtej çdo pengese dhe keqtrajtimi politik ende kanë durimin dhe dëshirën për të edukuar brezat e rinj, për ata edukatorë që në klasa të tejmbushura gjejnë kohën dhe vullnetin të kujdesen për fëmijët me nevoja speciale.

Sot është dita e tyre dhe lulet nuk mjaftojne për të shprehur mirënjohjen ndaj tyre, madje as një status në Facebook apo urimet e politikanëve.

Të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, që një ditë si kjo të shërbejë si motivim që të përpiqemi, përballemi me problematikën dhe të luftojmë që mësuesit në Shqipëri të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira, të jenë larg ndikimit dhe kapriçiove të politikës, për të patur të rinj të formuar sa më mirë.

Kjo nuk është vetëm dita e respektit dhe nderimit ndaj tyre, por dhe dita jonë e ndërgjegjësimit për një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë mësuesve në Shqipëri./Gazeta Express

    Data: 07 Mars 2018 11:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera