A janë të ligjshme arrestimet e policisë dhe sa burg rrezikojnë protestuesit e të shtunës - Gazeta Express

A janë të ligjshme arrestimet e policisë dhe sa burg rrezikojnë protestuesit e të shtunës

18/02/2019 10:26

Policia i akuzon për 4 vepra penale: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Opinion.al duke iu referuar Kodit Penal, ju tregon se sa rrezikojnë protestuesit dhe sidomos ai protestues mbi të cilin rëndojnë të 4 veprat penale (nëse ka të tillë).

–Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet (tek protesta, nga pamjet e transmetuara nuk kishte protestues që dhunonin fizikisht policët).

–Goditje për shkak të detyrës dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

–Shkatërrimi i pronës apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

–Prishja e qetësisë publike dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Të 4 veprat penale qëndrojnë të pavarura nga njëra-tjera dhe nëse një protestues i ka kryer të gjitha atë herë dënimi bashkohet. Por në këtë rast ka dhe një pikëpyetje të madhe. Siç mëson opinion protestuesit nuk janë arrestuar në  kushtet e flagrancës, pra që një protestues të jetë kapur në kryerje e sipër të veprës penale. Të gjithë protestuesit janë arrestuar me “urdhër ndalimi” dhe kjo masë lejohet për personat që dyshohet se kanë kryer një vepër penale që parashikon dënimin me katër vjet.  Mbi personat dhe kriteret ligjore si me sipër, presim vlerësimin e Prokurorisë apo të Gjykates nëse do kërkohet masë sigurimi.