Kthehu lart

Zaev kundër vijave të kuqe në bisedimet për emrin

Zaev kundër vijave të kuqe në bisedimet për emrin GazetaExpress

Një marrëveshje ndërkombëtare në korniza të së drejtës ndërkombëtare është garancë më e mirë se sa ndryshimet kushtetuese për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Këtë e ritheksoi kryeministri, Zoran Zaev duke iu kundërpërgjigjur insistimit të palës greke për ndryshime kushtetuese.

"Besoj se duhet t’i përmbahemi asaj që e njeh e drejta ndërkombëtare, ndërsa kjo është marrëveshje ndërkombëtare, ratifikim në parlamente, votim në Kombet e Bashkuara dhe rezolutë në Kombet e Bashkuara. Kjo është garanca më serioze për Republikën e Greqisë, për shkak se çfarëdo që të kërkojnë të ndërrohet në shtëpi, ajo është e drejtë e brendshme e organizimit të vendit tonë. Ndryshimi i çkadoje në Maqedoni nuk është garancë e vazhdueshme, pasi gjithçka që ndryshohet mund të kthehet" – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Zaev tha se pas një marrëveshjeje eventuale për emrin, do të formohen grupe pune për verifikimin e përmbajtjeve të librave në të dy vendet, që të mos lihen gjurmë irredentiste. Por nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos tha se ndryshimi i Kushtetutës do të siguronte emër “erga omnes” dhe njëherësh do të evitonte mundësinë që në të ardhmen marrëveshja të shpallet si kundër-kushtetuese.

"Për emër të përbërë, për përdorim të përgjithshëm, në secilin rast është parakusht ndryshimi i Kushtetutës, të paktën sa i përket çështjes së emrit kushtetues. Sipas kësaj, çështja për ndryshimin e Kushtetutës gjithsesi se mban, të paktën në këtë nivel. Çështjet tjera do të diskutohen edhe në nivel teknik për atë se a mund të ekzistojnë interpretime të Kushtetutës së vendit fqinj që do të mund të karakterizoheshin si irredentiste, por kjo çështje është e lidhur me interpretimin. Është e sigurt se emri kushtetues duhet të ndryshojë që të mund të vlejë kushti erga omnes" – tha Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë

Në një debat të ashpër në televizionin grek, ERT nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kostis Hacidakis tha se partia e tij nuk e pranon popullin maqedonas.

"Micotakis ka thënë: Duam paket-zgjidhje që do të dalë nga Kushtetuta, nga irredentizmi, nuk pranojmë popull maqedonas. Këto janë prioritetet tona" – u shpreh Kostis Haxidakis, Demokracia e Re.

Pritet që shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas bashkë me draft-marrëveshjen për zgjidhjen e emrit të aterojë në Shkup në gjysmën e dytë të muajit, pas çka do të ketë edhe raund të ri të negociatave me ndërmjetësuesin e OKB-së, Metju Nimic.

    Data: 06 Mars 2018 16:05
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera