Kthehu lart

Rritet prodhimtaria industriale me 8.4 për qind

Rritet prodhimtaria industriale me 8.4 për qind GazetaExpress

Prodhimtaria industriale në janar të këtij viti në krahasim me janarin e vitit të kaluar shënon rritje prej 8,4 për qind, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë.

Shikuar sipas sektorëve, prodhimtaria industriale në sektorin Minierë dhe nxjerrje të gurit në janar të vitit 2018, në krahasim me janarin e vitit 2017, shënon rënie prej 0,3 për qind, në sektorin Industri e përpunimit rritje prej 16,9 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim rënie prej 28,4 për qind.

Rritja në sektorin Industri e përpunimit është rezultat, para së gjithash, i prodhimtarisë së rritur të prodhimeve ushqimore, të pijeve, të tekstilit, të prodhimeve nga goma dhe prodhime nga masa plastike, prodhimtari të mineraleve tjera jometalike, prodhimtari të prodhimeve të fabrikuara metalike, përveç makinave dhe pajisjeve, prodhimtari të pajisjes elektrike, prodhimtari të makinave dhe pajisjeve, të papërmendura në vend tjetër, prodhimtari të automjeteve motorike, rimorkio dhe gjysmë-rimorkio dhe prodhimtari të mobiljes.

Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimtaria në janar të vitit 2018, në krahasim me janarin e vitit 2017, shënon rritje tek prodhimet intermediare, përveç energjisë për 15,8 për qind, prodhime kapitale për 26,6 për qind, prodhime të qëndrueshme për konsum të gjerë për 5,3 për qind dhe prodhime jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 5,3 për qind, ndërsa rënie shënon tek Energjia për 26,1 për qind./Gazeta Express/

    Data: 07 Mars 2018 14:26
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera