Kthehu lart

Plani "3-6-9", ministrat raportojnë para ambasadorëve të huaj

Plani "3-6-9", ministrat raportojnë para ambasadorëve të huaj GazetaExpress

VMRO-DPMNE-ja të mbajë përgjegjësi për pengimin e proceseve reformuese dhe me këtë edhe pengimin e integrimit të vendit në NATO dhe BE, kërkon zv.kryeminisri për çështje evropiane Bujar Osmani, i pyetur se çfarë do të ndodhë me ligjin për përdorimin e gjuhëve, në rast se opozita nuk heq dorë nga amendamentet. Në planin 3-6-9, ligji më herët ishte nënvizuar me jeshile, duke u konsideruar si punë e kryer.

Nuk ka kthim pas nga miratimi i ligjit. Këto janë përpjekjet e fundit të forcave destruktive, anti-evropiane, anti-NATO që tentojnë të pengojnë vendin drejt perspektivës së tij euro-atlantike. Argumentet se po qese miratohet ligji ne do të pengojmë reformat, mendoj se janë të papërgjegjshme, në qoftë se ka të tilla. E para, marrëdhëniet ndëretnike nuk mund të jenë dëm kolateral i agjendave partiake të partive politike. Nuk do të lejojmë një gjë të tillë. E dyta, përgjegjësia për reformat nuk është vetëm e partive politike në Qeveri – deklaroi Bujar Osmani, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.

Osmani, përpara ambasadorëve të vendeve anëtare në BE prezantoi realizimin e planit për reforma 3-6-9. Të parealizuara, ai i konsideroi vetëm pak çështje që janë pjesë e debatit mes grupeve të punës të LSDM-së dhe VMRO-së.

Tani kanë mbetur të hapura ose me afat të tejkaluar vetëm çështjet për të cilat partitë politike tani po negociojnë në kuadër të bisedimeve ndërmjet pozitës dhe opozitës për të arritur konsensus politik. Këto kanë kryesisht të bëjnë për ligjet në gjyqësor të cilat presion epilogun nga bisedat ndërmjet partive politike – theksoi ai.

Planit 3-6-9 i skadon afati në gjysmën e muajit prill. Ndërkohë është formuar trup kombëtar koordinues për të realizuar iniciativat e Strategjisë për zgjerim të Ballkanit Perëndimor në gjashtë fushat kyçe të cilat një muaj më parë i theksoi Komisioni Evropian./Gazeta Express/

    Data: 07 Mars 2018 15:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera