Kthehu lart

Maqedoni/Policia ende nuk i ka kapur sulmuesit e themeltarit të kishës ortodokse shqiptare, Sinadinovski

Maqedoni/Policia ende nuk i ka kapur sulmuesit e themeltarit të kishës ortodokse shqiptare, Sinadinovski GazetaExpress

Ministria e Punëve të brendshme ende nuk ka kapur autorët e sulmit fizik ndaj Branko Sinadinovski, themeluesit të Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, i cili pardje u sulmua nga dy persona duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Nuk është hera e parë që Sinadinovski sulmohet fizikisht nga persona të panjohur dhe policia nuk arrin të identifikojë dhunuesit dhe t’i nxjerrë para drejtësisë.

“Sektori i punëve të brendshme Shkup, në bashkëpunim me Prokurorin Themelore Publike Shkup, kanë ndërmarrë hapa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit”, thonë nga MPB duke mos theksuar se çfarë hapash kanë ndërmarrë dhe pse deri tani ka mbetur i pazbardhur sulmi i parë i viti të kaluar.

Branko Sinadinovski thotë se sulmi ka ndodhur para shtëpisë së vajzës në momentet kur ka qenë duke u kthyer nga qytetit.

“Nuk i pashë se si erdhën. Ata mu hodhën dhe filluan në mënyrë të pamëshirshme të më godasin në çdo pjesë të mundshme të trupit. Unë i humba ndjenjat dhe nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur më pas. Rrahja ishte e përgjakshme, do të habiteshit nëse do më shifnit se si kam qenë atë ditë”, tha mes tjerash Sinadinovski për Lajm.

Për sulmin ndaj Sinadinovskit ka reaguar edhe Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, Seksioni në Maqedoni, duke vlerësuar se bëhet fjalë për sulm barbarë të bandave kriminale.

“Ky është sulmi i dytë ndaj këtij diplomati, studiuesi dhe veprimtari të shquar Shqiptar, themelues i bashkësisë fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, anëtar i Akademisë Shqiptare Amerikane të shkencave dhe Arteve-Shkup.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut FNDLNJ – IGFM – ISHR kërkon urgjentisht nga organet e rendit ti zbulojnë e ti kapin dhe ti dënojnë kriminelët e porositur dhe kryerësit e këtij akti kriminal”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga kryetari Idriz Sinani.

Ndryshe sulmin ndaj Sinadinovskit e ka dënuar në mënyrë publike edhe Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela duke kërkuar nga MPB kapjen dhe dënimin e autorëve.

    Data: 08 Mars 2018 18:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera