Kthehu lart

Ligji për gjuhët, Osmani: Nuk ka kthim prapa, ligji miratohet

Ligji për gjuhët, Osmani: Nuk ka kthim prapa, ligji miratohet GazetaExpress

Përpjekjet e fundit të forcave destruktive për pengimin e vendit drejt perspektivës së saj euroatlantike e ka cilësuar zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, dështimin e radhës për miratimin e Ligjit të gjuhëve në Kuvend.

Ai tha se miratimi i ligjit mbetet pjesë e rëndësishme e planit 3-6-9 dhe nuk ka kthim mbrapa. Argumentet se do të pengohen reformat nëse miratohet ligji, Osmani i cilësoi si të papërgjegjshme. Ai beson se ligji do të miratohet ditëve në vijim.   

 
“Argumentet se po qe se miratohet ligji ne do të pengojmë reformat, mendoj se janë të papërgjegjshme në qoftë se ka të tilla. Nën një: marrëdhëniet ndëretnike nuk mund të jenë dëm kolateral i agjendave partiake të partive politike. Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë; e dyta, përgjegjësia nuk është vetëm e partive politike në qeveri. Suksesi i shtetit është përgjegjësi dhe meritë e përbashkët e të gjithë aktorëve politikë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Qeveria tashmë është e fokusuar në dialogun me opozitën, pasi reformat në vend kanë nevojë për konsensus nga të gjithë.
 
“Kanë mbetur të hapura ose me afat të tejkaluar vetëm çështjet për të cilat partitë politike tani po negociojnë në kuadër të bisedimeve të pozitës dhe opozitës për të arritur konsensus politik. Këto kanë kryesisht të bëjnë me ligjet në gjyqësor të cilat presin epilogun nga bisedat ndërmjet partive politike”,- u shpreh  zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Këto komente Osmani i bëri gjatë prezantimit të planveprimit të qeverisë lidhur me shkallën e realizimit të reformave para ambasadorëve të BE-së në Shkup.
 
Maqedonisë i ka mbetur më shumë se një muaj nga publikimi i raportit të Komisionit Europian dhe Osmani pret që raporti për anëtarësim të jetë më i miri deri më tani, i cili do të jetë i pastër dhe i pakushtëzuar. Por, kjo nuk do të thotë se reformat pas raportit do të ndalen, përkundër, Osmani thotë se procesi reformues do të vazhdojë, e përfundimisht e gjithë kjo përpjekje të rezultojë dhe me përcaktimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave në qershor dhe në përputhje me Strategjinë për zgjerim, të përfshihemi në dinamikën 20-25 për anëtarësim me të drejtat e plota në Bashkimin Europian.

    Data: 07 Mars 2018 16:58
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera