Kthehu lart

Çështja e emrit, Greqia insiston për ndryshim të Kushtetutës

Çështja e emrit, Greqia insiston për ndryshim të Kushtetutës GazetaExpress

Greqia edhe më tutje mbetet në qëndrimin për ndryshimin e Kushtetutës në përpjekjet për zgjidhje të kontestit me emrin, kurse pala e Maqedonisë kërkon respektimin e praktikës themelore ndërkombëtare.

Pala e Maqedonisë konsideron se çfarëdo lloj ndryshimi i Kushtetutës nuk nënkupton edhe garanci të përhershme me Greqinë.

“Çfarëdo lloj ndryshimi në sistemin juridik të Maqedonisë nuk do të thotë garanci e përhershme për Greqinë, sepse gjithçka që ndryshohet mund të kthehet mbrapa”, tha dje kryeministri Zoran Zaev. Ai më tej kërkoi mbajtjen e praktikës ndërkombëtare – marrëveshje ndërkombëtare, ratifikim në Parlamentet, votim në KB, rezolutë në KB dhe konsideron se e tërë kjo është garancia më serioze për Greqinë.

“Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin në mënyrë që ta ruajmë dinjitetin e dy popujve, të dy vendeve dhe të dy kombeve dhe gjithsesi ruajtjen e asaj që do të thotë ndjenjë, e ai është identiteti. Identiteti është ndjenjë dhe për të nuk mund të negocioni, të bëni pazar. Unë besoj se në atë frymë, duke u udhëhequr me kujdes drejt partnerëve me të cilët negociojmë do të gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

Rekomandoi të hapet edhe Kushtetuta e Greqisë dhe të shohim se si ata kujdesen për grekët jashtë Greqisë.

“Unë jam i gatshëm, si ata kujdesen për grekët jashtë Greqisë, ashtu edhe ne të kemi kujdes për maqedonasit jashtë Maqedonisë, njejtë në mënyrë adekuate”, tha Zaev.

Ndërsa Qeveria greke insiston në qëndrimin se nevojitet ndryshim i Kushtetutës.

E sigurt është se emri kushtetues duhet të ndryshojë në mënyrë që të vlejë kushti erga omnes”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Xanakopullos gjatë pjesëmarrjes në emisionin debatues në televizionin shtetëror grek ERT.

“Për emër të përbërë erga omnes, për përdorim të përgjithshëm, në çdo rast parakushti është revizioni kushtetues, së paku lidhur me çështjen me emrin kushtetues. Sipas kësaj, çështja për ndryshim të Kushtetutës gjithsesi se hyn, së paku në këtë shkallë. Gjërat e tjera do të bisedohen edhe në nivel teknik për atë se sa mund të ekzistojnë interpretimet e Kushtetutës së vendit fqinj të cilat do të mund të karakterizohen si irredentiste, por kjo është çështje e lidhur me interpretimin. Është e sigurt se emri kushtetues duhet të ndryshohet në mënyrë që të mund të vlejë kushti erga omnes”, tha Xanakopullos.

Sqaroi se nevojiten ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë, sepse në të ardhmen “Gjykata Kushtetuese e vendit fqinj mund të vendosë se Zaev nuk ka pasur kompetenca për ta nënshkruar marrëveshjen konkrete”, kështu që për Athinën “e vetmja mënyrë për t’u zgjidhur çështja, së paku lidhur me emrin, është të ketë ndryshim përmes Kushtetutës”.

Sipas ish-shefes së diplomacisë greke, Dora Bakojani, ndërkaq, perspektivat për zgjidhje serioze të çështjes për emrin po pakësohen gjithnjë e më shumë.

Ajo në intervistën për radion “Real fm” thotë se Qeveria greke ka pasur mundësi të vërtetë që ta zgjidhë problemin, por me mënyrën në të cilën ka menaxhuar me çështjen, tani kjo çon drejt qorrsokakut.

“Dëshiroj të jem e qartë se mundësia do të mund të shfrytëzohej dhe do të kishim rezultat pozitiv, nëse do të kishim qeveri serioze. Në këtë moment kemi shumicë qeveritare në tre pjesë”, tha Bakojani.

Xanakopullos zbuloi se projekt marrëveshja ende është në fazë të përpunimit nga ana e Greqisë, ndërkaq për parashtrimin në Maqedoni, zyrtarisht do të kumtohet nga MPJ greke./Gazeta Express/

    Data: 07 Mars 2018 10:22
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera