Kthehu lart

Ansambli shqiptar në Maqedoni, ja sa të punësuar do të ketë

Ansambli shqiptar në Maqedoni, ja sa të punësuar do të ketë GazetaExpress

Vendimi për themelimin e Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve shqipe është zyrtar pas miratimit nga Qeveria. Me gjithsej 96 të punësuar, instrumentistë… e të tjerë, mes të cilëve 18 çifte valltarësh, selia e këtij institucioni do të gjendet në kompleksin e sportit Partizani, në Komunën e Çairit.

Buxheti i akorduar nga buxheti i shtetit arrin në mbi 51 milionë denarë, fond ky që do të vihet në dispozicion përveç pagesave të punonjësve edhe për blerjen e 23 instrumenteve (804 mijë denarë), kostumeve (mbi 2 milionë denarë), autobusin (3 milionë denarë), ndërsa një pjesë është parashikuar për rikonstruktimin e ambienteve dhe adaptimin e tyre sipas nevojave të ansamblit (7 milionë denarë).

Brenda 10 ditëve pritet të emërohet drejtori (ushtrues detyre) , pozicion ky për të cilin ende nuk është lakuar ndonjë kandidaturë dhe gjatë muajve të ardhshëm – do të dihet po ashtu se kush do të jenë emrat që do të bëjnë pjesë në bordin drejtues dhe pjesën tjetër të ansamblit.

Ansambli do të ketë në përbërje dy sektorë (juridik dhe financiar) udhëheqësin programor, si edhe pesë të tjerë: juridik, teknik, instrumental, të valles dhe atë të vokalit. Në vendimin e Qeverisë, ndër të tjera thuhet se ky institucion do të afirmojë vlerat e folklorit shqiptar, traditën dhe kulturën, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, si edhe do të nxisë rininë që të kultivojë dhe të praktikojë folklorin. Qëllimi për formimin e këtij institucioni ka lindur nga nevoja për të ruajtur në mënyrë institucionale folklorin shqiptar, financimi dhe interesimi për të cilin ka qenë minimal.

Një tjetër qëllim për themelimin e këtij institucioni është ruajtja e veshjeve tradicionale origjinale, si edhe mbrojtja dhe kujdesit për trashëgiminë jomateriale. Veprimtaria bazë e Ansamblit shqiptar, do të jetë interpretimet artistike, koncertet brenda dhe jashtë vendit, blerjen e kostumeve origjinale, botimet, por edhe përgatitjen e koreografive të reja, e të tjera. Porcedurat për themelimin e këtij institucioni parashikohen të kompletohen brenda gjatë muajve, ndërsa në fund të muajit shtator planifikohet të jepet edhe koncerti i parë.

“Është evidente se vitet e fundit disa prej ansambleve amatore dhe shoqëritë të cilat funksiononin prej 50 vitesh si Liman Kaba, Besa nuk janë më. Në vështirësi financiare përballen Xheladin Zeqiri, Ibe Palikuqi, Emin Duraku, Bajram Shabani dhe disa të tjerë nga Kërcova e Struga. Po ashtu jemi dëshmitarë se një prej festivaleve më të mëdha folklorike, Sharri këndon prej tre vitesh nuk është në gjendje as të shënoje 20 vjetorin e themelimit, për shkak të vështirësive financiare…”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Vendimi për themelimin e Ansamblit të këngëve dhe valleve shqipe, si një organizatë jofitimrurëse në fushën e kulturës – në kategorinë institucionit nacionale, që do të financohet nga buxheti i shteti, u mor në seancën e së martës në Qeveri. Emërtesa zyrtare do të jetë Institucioni Nacional Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe./koha.mk

    Data: 08 Mars 2018 22:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera