Lufta në Siri, zbulohet celula terroriste në Tiranë - Gazeta Express

Lufta në Siri, zbulohet celula terroriste në Tiranë

12/03/2014 10:31

Më 12 shkurt, një grua mbërriti në Komisariatin nr 3 në Tiranë dhe denoncoi zhdukjen e dy fëmijëve të saj, 6 dhe 8 vjeç. Ajo i tregoi policisë se fëmijët janë nisur në drejtim të Turqisë me të atin e tyre, Shkëlzen Dumani, më 31 janar dhe, që prej asaj dite, ajo nuk kishte mundur të vinte asnjë lloj kontakti me bashkëshortin dhe as më dy fëmijët. Gruaja, M. Dumani, 40 vjeçe, me origjinë nga Dibra, teksa ka rrëfyer rrethanat, ka vënë nën akuzë se fëmijët iu kishin rrëmbyer nga bashkëshorti i saj. Policia e Tiranës referoi rastin në prokurori, duke e shpallur 38-vjeçarin Shkëlzen Dumani në kërkim për rrëmbim personi. Hetimet vijuan, ndërsa zhdukja e gjurmëve të burrit ngriti dyshimin se ai duhej të ishte larguar në drejtim të Sirisë.

Menjëherë Interpoli shpalli të kërkuar dy fëmijët, ndërsa strukturat e hetimit dhe zbulimit në vend dhe jashtë tij, nisin verifikimet e aktivitetit të 38- vjeçarit. Sinjalet dhe informacionet çuan në faktin tronditës se dy fëmijët kanë mbërritur në Siri dhe gjenden atje me të atin e tyre. Hetimet u shtrinë në të gjitha lidhjet dhe njohjet e dibranit, ndërkohë që Shërbimet Inteligjente, më në fund, u bënë pjesë e një superinvestimi informativ, duke zbuluar ‘brigadën e celulave’ terroriste në vendin tonë. Dje rreth orës 03.30, rreth 22 mjete policore dolën nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për tu hedhur në operacion pas rreth një ore, duke bërë të mundur arrestimin e shtatë personave dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve. Mes të kërkuarve është edhe babai që rrëmbeu dy fëmijët dhe i çoi në Siri.

Operacioni

Genci Balla, nga Librazhdi, i vetëshpallur si imam i Xhamisë në ‘Unazën e Re”, 35 vjeç, nga Librazhdi dhe Bujar Hysa , 43 vjeç, nga Tirana, i vetëshpallur imam i Xhamisë së Mëzezit, nga prokuroria dhe policia, konsiderohen edhe si organizatorët kryesor të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”.

Bujar Hysa, sipas të dhënave të hetimit ishte mësues në shkollën që kishte hapur Balla brenda xhamisë në “Unazën e Re”, ndërsa pesë personat e tjerë të vënë në pranga janë të gjithë lidhje e dy imamëve, persona që, sipas hetimeve, rezultojnë të jenë organizatorë, financues dhe ndihmës të organizatës. Referuar të dhënave zyrtare të Prokurorisë bëhet me dije se grupi ka nisur të funksionojë që para një viti ndërsa rekrutonin besimtarë dhe i nisnin në drejtim të Sirisë duke shfrytëzuar Turqinë. Aty, mësohet se ekzistojnë dy-tri baza në të cilat kryhen edhe stërvitjet e duhura dhe më pas shqiptarët niseshin në drejtim të Sirisë për të marrë pjesë në luftë. Gjatë operacioneve janë zbuluar armë dhe armatime, veshje kamuflazhi si dhe dy radio-marrëse.

Akuzat

Sipas prokurorisë personat e arrestuar dhe të kërkuar akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve” të parashikuar nga neni 231, 232/a dhe 265 të Kodit Penal Shqiptar. Shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Shtetasit Edmond Balla dhe Veri Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Ndërsa shtetasit Fadil Muslimani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Gjithashtu, nga forcat e Policisë së Shtetit, në bazë të autorizimit të gjykatës, u ushtrua kontroll në disa ambiente në Tiranë dhe Pogradec, ku ushtronin veprimtarinë e tyre këta persona. Ndërkohë, në kuadër të këtij hetimi, janë caktuar masat e sigurimit edhe për gjashtë persona të tjerë, të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale, si edhe po vijojnë hetimet nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.

Arrestohet personi i 8-të në Tiranë

Në vijim të operacionit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i 7 personave, si të dyshuar që rekrutonin shtetas shqiptarë për të luftuar në Siri, orëve të vona të së mbrëmshmes është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Orion Sami Reçi, 37, lindur në Zodjan të Peshkopisë dhe banues në Tiranë. Ky person mësohet se është në rolin e ndihmësit në këtë grup ndërsa ishte në ndjekje nga strukturat e policisë dhe kapja e tij u bë e mundur në afërsi të banesës së tij, pikërisht në Tiranë.

Për shtetasin Orion Reçi, Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, si i dyshuar për të njëjtat vepra penale që akuzohen edhe të gjithë të arrestuarit e tjerë. Sipas të dhënave priten edhe arrestime të tjera në Tiranë dhe disa rrethe të tjera të vendit, ndërkohë që personat që janë shpallur në kërkim, dyshohet se kanë kryer të njëjtin aktivitet në Kosovë dhe Maqedoni, vende ku tashmë do të nisin hetimet për të zbuluar se cili ka qenë roli i këtyre personave.

Si funksiononte grupi i akuzuar për terrorizëm

Dy imamët e vetëshpallur mësohet se janë edhe dy organizatorët kryesor si dhe personazhet kyçe të këtij grupi. Mësohet se në të vërtetë ka qenë Balla, i cili ka vendosur kontaktet e para me rrymat radikale të cilat rekrutojnë besimtarë për t`i nisur në luftën e Sirisë. Nga të dhënat e para të hetimit mësohet se grupi ka nisur të strukturohet para një viti. Mendohet se janë mbi 70 raste të verifikuara që janë çuar njerëz në Siri dhe prej këtyre 8 janë vrarë. Nga hetimet ka dalë se grupi me në krye dy imamët i pajisnin me dokumente dhe me një shumë parash ushtarët dhe më pas i nisnin në drejtim të Turqisë. Mësohet se kalimi bëhej nga Rinasi dhe shqiptarët vendoseshin në tri baza të ndryshme në Turqi. Grupet e personave që niseshin, mësohet se përbëheshin jo më shumë se nga tre persona, por që thuajse të gjithë ishin në dijeni të vendit në të cilin duhej të shkonin.

Në vendin tonë, mësohet se nuk është bërë asnjëherë një punë stërvitore me ushtarët-besimtar por ata indoktrinoheshin në xhaminë e Unazës së Re. Në shkollën që gjendej te xhamia e Ballës bëhet me dije se kryesisht fëmijët mësoheshin me faktin se nëse lufton në Siri dhe vdes shkon në parajsë. Mirëpo gjatë hetimeve mësohet se ka patur edhe nga ata persona që kanë shkuar kundrejt pagesës, pagesë që sigurohej nga një prej personave që janë të shpallur në kërkim, i cili dyshohet që është edhe ura lidhëse e grupeve terroriste investuese me bazë në Siri.

Hetuesit kanë zbuluar se shkolla frekuentohej nga një grup i vogël personash, të cilët në gjuhën e tyre emërtohen si të “besuar” dhe mësohet se pikërisht prej tyre dilnin dhe personat që do të shkonin në luftë. Hetuesit kanë shkuar edhe më tej, pasi kanë zbuluar se Balla është personi që i ka hequr të dy fëmijët e tij nga shkolla publike, ndërsa dy prej fëmijëve të tij kanë lindur edhe në vendet arabe, njëri në Medina dhe tjetri në Arabi. Fëmijët mësohet se i mbanin në shkollën ku ishin edhe vetë lektorë, ndërkohë që grupi i hetimit tashmë pret edhe analizën balistike të armëve që janë sekuestruar në shtëpitë e disa prej të arrestuarve të mëngjesit të djeshëm.

Kush janë 2 imamët e vetëshpallur, përfaqësuesit e rrymës “Tekfiriste”

Genci Balla (Abdurrahim) (organizator) ka kryer studimet e larta në Universitetin Islamik të Medinës (Arabi Saudite), ku mendohet se ka rënë në kontakt me dijetarë të linjës së ashpër Tekfiriste, të cilët kanë ndikuar në indoktrinimin e thellë të tij dhe që më pas janë bërë burimi kryesor i frymëzimit të veprimtarisë së tij. Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës “Tekfiriste”, pasi është një ndër teologet më radikalë që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda komunitetit mysliman si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesore në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. Përgjatë hetimeve është zbuluar se shtetasi Genci Balla së bashku me elementë të tjerë të sektit “Selafi”, drejtues të grupeve lokale, evidentohen në mënyrë të vazhduar nga ana jonë si përgjegjësit kryesore për dërgimin shtetasve shqiptarë (burra, gra e fëmijë) për në Siri, ku shumë prej tyre janë trajnuar për lufte dhe indoktrinuar me ideologji radikale për t`u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve xhihadiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Thirrjet e tij për pjesëmarrjen në xhihad të armatosur në Siri janë mbështetur nga disa elementë të rinj shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar në drejtim të Sirisë dhe dyshohet se u janë bashkuar grupeve xhihadiste. Gjatë hetimeve dhe përgjimeve është mësuar nga policia se prej disa vitesh Balla ushtron aktivitet fetar ilegal, të paligjëruar nga institucioni fetar i KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar). Nëpërmjet nxitjes së tij, një numër i konsiderueshëm besimtarësh shqiptarë, u janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri, pasi mësohet se rezulton që niveli i indoktrinimit ka qenë tepër i lartë. Balla ka penguar shkollimin në shkollat publike edhe të fëmijëve të tij dhe të lidhjeve të tij, por ai ka hapur një shkollë fetare në ambientet e xhamisë, ku fëmijëve u jepen vetëm mësime fetare dhe arabisht. Referuar të burimeve të policisë mësohet se predikimet që ai mban gjatë ditës së premte në xhami dhe thirrjet që ai bën janë të lidhura me detyrimin për të marrë pjesë në ‘Xhihad’, mosnjohjen e demokracisë, mosnjohjen e shtetit, urrejtjen e shteteve Perëndimore, mbrojtjen e personave dhe mbështetjen e atyre që luftojnë për Xhihad në Siri.

Bujar Hysa

Sipas të dhënave të prokurorisë Bujar Hysa ushtron aktivitetin e tij radikal – ekstremist islamik si imam i xhamisë së Mëzezit, ku dhe ka krijuar një rreth të ngushtë e të besuar besimtarësh. Është ndjekës i ideologjisë radikale tekfiriste të Ballës. Ai është përcaktuar si element radikal-ekstremist islamik dhe predikon në ambiente fetare për mosnjohjen e institucioneve dhe ligjeve të shtetit dhe predikon vendosjen e Sheriatit.

Hysa është aktiv në drejtim të përhapjes/ nxitjes së urrejtjes ndërfetare, rekrutues, mbështetës dhe ndihmues i një numri të konsiderueshëm shtetasish që i janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri. Sipas hetuesve të çështjes dyshohet se kryen rolin indoktrinues të ideologjisë fetare ekstremiste, me fëmijë të moshave të vogla, të cilët ndjekin shkollën fetare pranë xhamisë në Unazë të Re. Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët.

/Shekulli