PDK e LDK nuk mund të llogarisin më në votat e pakicës serbe sa herë që iu nevojiten vota për kalimin e ndonjë ligji me rëndësi të veçantë për Shtetin. Kjo për shkak se “Lista Srpska” ka vendosur të ngrijë pozicionin e saj në Parlamentin e Kosovës.
Vendimin e kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media në të cilën tregojnë se po largohen nga Kuvendi për shkak të miratimit të Ligjit për “Trepçën”.
“ Shkaku i Trepçës e kemi ngrirë punën në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në sqarimin e Listës “Srpska”.
Deputetët e Listës Serbe kanë vendosur sot që për kohë të pacaktuar ta ngrijnë pjesëmarrjen në Kuvendin e Kosovës, për shkak të miratimit të ligjit për Trepçën, njofton Gazeta Express.
Në Listën Serbe konsiderojnë se serbët në Kosovë po përballen me një nga situatat më të rënda dhe potencialisht më të rrezikshme në 15 vitet e fundit, ndërsa nga vendimet që do t’i marrin këto ditë do të varet jo vetëm fati i politik i Listës Serbe, por edhe fati i popullit serb në Kosovë.
“Në emër të interesit të popullit serb dhe të demokracisë, me neveritje hedhim poshtë dhunën politike dhe juridike të Kuvendit të Kosovës dhe publikisht porosisim se nuk njohim kurrfarë vendimi lidhur me ‘Trepçën’, të marrë pa marrëveshje me përfaqësuesit politikë të serbëve”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe pas takimit në Mitrovicë.