Lëndime trupore, goditje me armë zjarri dhe detaje të tjera nga vrasja e një personi në Prizren - Gazeta Express

Lëndime trupore, goditje me armë zjarri dhe detaje të tjera nga vrasja e një personi në Prizren

21/12/2018 11:14

Pas marrjes së informacionit se I.S. (emër i njohur për redaksinë), 49 vjeçar, ndodhej i shtrirë në rrugë, ekipi mjekësor që kishte dalë në vendin e ngjarjes konstatoi se viktima është pa shenja jete.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, tha se rasti në fjalë po hetohet nga organet e hetuesisë dhe deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar.

“Ne jemi t’u u marrë me rastin, t’u grumbullu informacionet e nevojshme nuk ka ende diçka konkrete. Trupi i viktimës është dërguar në autopsi. Policia është në fazën e grumbullimit të informacioneve, jemi në hapat fillestarë të hetimeve. Viktima është rreth 49-50 vjeç”, tha Shala për Gazetën Express.

Mësohet se viktima ka pasur plagë në këmbë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Por, Prokuroria po pret edhe vendimin e mjekësisë ligjore.

Edhe zyrtari për informim në Policinë e Prizrenit, Vesel Gashi, tha se ekipi mjekësor ka dyshuar që në trupin e viktimës ka pasur plagë me armë zjarri.  

“Por pa dalë vendimi i mjekësisë ligjore nuk mund të flasim”, tha Gashi për Gazetën Express.

Njoftimi për këtë vrasje u dha sot nëpërmjet raportit 24 orësh të policisë:

“Fshati Kuzhnin-Has, Prizren 20.12.2018-18:02. Raportohet se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K-Shqiptar. I njëjti është dërguar në emergjencë, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, njoftoi policia përmes raportit 24 orësh. /M.Miftari/Gazeta Express