LDK’ja i përgjigjet AAK’së: Kemi bërë zgjedhjen që e ka bërë Presidenti Rugova me kohë


14/07/2016

“Dega e LDK-së konsideron se figura e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova është e shenjtë për çdo qytetar të Kosovës dhe anëtar të LDK-së. Emrit të Presidentit Rugova, ne si aktivistë të LDK-së i kemi qëndruar besnikë edhe në kohën kur kemi qenë të rrezikuar fizikisht dhe një gjë të tillë do ta bëjmë deri në ditën e fundit të jetës sonë fizike dhe politike”, thuhet në reagimin e LDK-së në Deçan.

“LDK në Deçan konsideron se sot, emri i Presidentit Rugova nuk mbrohet me kauza fiktive apo me retorikë populiste, por duke respektuar vendimet e institucioneve të shtetit të Kosovës, arkitekt i të cilës ishte vet Presidenti Rugova. Emri i Presidentit Rugova mbrohet duke fuqizuar partneritetin dhe miqësinë e përjetshme me SHBA-të, e jo duke bërë të kundërtën, siç po bën në vazhdimësi opozita tash e një vjet”, thuhet më tej në reagim.

“Sa i përket madhështimit të emrit të Presidentit Rugova, atë e ka bërë madhështor jeta, vepra dhe trashëgimia e tij kolosale. Mos të harrojmë se edhe vet Presidenti Rugova është ballafaquar me kualifikimet e njerëzve që ngjisin etiketa tradhëtarësh dhe patriotësh, por i tejkaloi ato duke e mbrojtur institucionalizmin e duke mos iu nënshtruar populizmit”, thotë LDK.

Sipas LDK-së, sa për aludimet e AAK-së se kush dhe si e ka mbajtur karrigen në Parlament, është mirë që kjo parti të kujdeset për deputetët e saj, pasi që deri në fund të mandatit, duket se në grupin e saj parlamentar do të mbesin vetëm deputetët e AAK-së që janë dajë e nipa mes vete.

“Andaj, së bashku me popullin e Kosovës, ne kemi bërë zgjedhjen që e ka bërë Presidenti Rugova me kohë. Ne kemi zgjedhur shtetin dhe partneritetin me SHBA-të, e jo retorikën, e cila më shumë sesa marrëveshjen e demarkacionit, rrezikon ta kthejë shtetin tonë në pikën zero”, thuhet në fund të reagimit.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart