Krasniqi: Parametrat për vendosjen e kufirit, qesharak dhe fyes


13/07/2016

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Jakup Krasniqit:

Nga ajo që dëgjuam në medie për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, pa asnjë hezitim mund të konstatohet se ata parametra jo vetëm që nuk janë të vlefshëm, por janë më shumë se qesharak e fyes për t’ju shitur si punë e ndershme e profesionale njerëzve me inteligjencë edhe nën mesatare?!!! Kjo është më shumë se fyerje për qytetarin e fshatarin tonë që e ka shkelur dhe shfrytëzuar me dekada atë pjesë të atdheut.

Unë nuk mund të kuptoj në asnjë mënyrë, si është e mundur që një kufi që ka histori, më se paku mbi 60 (76) vjeçare, kur demarkohen të përdorën ngjarje, data e dokumente që në asnjë mënyrë nuk do të duhej as të përmendeshin se jo më të përdoreshin si parametra përcaktues në shënimin e kufirit më Malin e Zi.

Cilat janë ato ngjarje e dokumente që nuk është dashur as të përmendeshin?

Në asnjë mënyrë e në asnjë formë nuk është dashur të përmendeshin: Marrëveshja e Kumanovës e 10 qershorit 1999, as hartat e NATO-s, as Bisedimet e Vjenës e Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari, as Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e Kushtetuta që e kemi në përdorim, nuk do të duhej fare që të përmendeshin si parametra për shënimin e kufirit në fjalë. Në disa raste janë përdorur (përmendur) edhe viti 2007 e 2008, që për ne këto data janë krejt të pa njohura në çdo pikëpamje?! Çka fshihet prapa tyre, nuk më është e njohur, ndonëse kam marrë pjesë në shumë procese e marrëveshje që nga Rambujeja. Madje kam marrë pjesë në shumë takime e bisedime, para dhe pas Pavarësisë së Kosovës (më 12 shkurt 2008), përfshirë edhe procesin e hartimit të Kushtetutës sonë, por në asnjë rast nuk është biseduar për kufirin.

Në renditjen që bëra më lartë, nuk më është e qartë si u gjet edhe Kushtetuta e vitit 1974 e jo ngjarje, dokumente e harta të ndryshme (gjeografike, shkollore, topografike, ushtarake etj.), të para e pas saj e krejt deri në vitin 1998?! Kushdo që do të ishte nisur nga parametra e theksuar më lartë, përfshirë edhe pronat kadastrale të qytetarëve, nuk do të mund të vinte në ndonjë përfundim tjetër, veçse këtu ku ka arritur Komisioni i Qeverisë së Kosovës, në përfundime krejt të gabuara.

Mendoj se këto janë dëshmi të mjaftueshme se Komisioni qeveritar ka qenë jo profesional, jo i përgjegjshme, aspak vigjilent për çka ka ardhur në përfundime të gabueshme, gabime që pala jonë në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pranoi, përkundrazi duhet të kërkoj përgjegjësi. Në një situatë të tillë, Komisioni do të duhej të dorëhiqej ose të shkarkohej nga organi që e ka themeluar. Ky veprim do t’i hapte rrugë formimit të një Komisioni të ri gjithëpërfshirës, i cili do të rivlerësonte procesin e demarkacionit të kufirit më Malin e Zi.

Konsideroj se, si Republika e Kosovës e po ashtu edhe Mali i Zi, duhet të janë të interesuar që shënjimi i kufirit, midis vendeve tona, nuk do të duhej të mbetej burim konflikti nder shtetëror as për sot e as për nesër, por do të duhej të ishte bërë me drejtësi e pajtim të plotë mes palëve. Mbase do të duhej të ishte një lloj feste e përbashkët mirëkuptimi e mirëbesimi për një fqinjësi të mirë e më paqe të përhershme. Në fund të fundit ky do të ishte në interes të dy vendeve e kombeve tona, të jetuarit në paqe e fqinjësi të mirë e të përhershme!

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart