Flasin familjarët e viktimës në Surkish të Podujevës: Na vranë djalin më të mirë në mëhallë - Gazeta Express

Flasin familjarët e viktimës në Surkish të Podujevës: Na vranë djalin më të mirë në mëhallë

30/11/2018 16:31

Për vrasjen e rëndë nuk është arrestuar askush deri më tani, policët hetues janë në kërkim të dy personave të dyshuar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, në një bisedë për Gazetën Express thotë se rasti është duke u hetuar.

“Krejt çka mund të thuhet deri më tani është se po kërkojmë dy të dyshuar”, shprehet Beka.

“Nuk mujm me dhan asnjë detaj,  jemi në proces të hetimeve, jemi në kërkim të dy të dyshuarve. Policët hetues po merren me rastin. Çdo informacion tjetër mund t’i prishë hetimet”, tha Beka.

Arian Selmani, 30-vjeç
Arian Selmani, 30-vjeç

Ekipi i Gazetës Express sot ka qëndruar në Surkish të Podujevës. Në shtëpinë e Arianit nuk ndodhej askush. Edhe dy javë pas vrasjes nuk është bërë i qartë asnjë motiv për vdekjen e hershme të Arianit, ndrësa fqinjët janë të shokuar me rastin.

“Djalë ma të mirë qitu në mahall s’ka pas, kurrë s’kena ditë një të keqe prej tij, çka ka ndodhë veç Zoti e din”, tha një fqij i Arianit, njëherit kushëri i tij.

Ai çdo mëngjes shkonte në punë, punonte në një dyqan të veshmbathjeve.

“Veç e di që djalë i mirë u kon shumë, në mëngjes u dalë herët u shku në punë, folke tu kesh” vazhdon rrëfimi.

Shtoi se motivet e vrasjes nuk po i di as familja e ngushtë duke theksuar se këtë punë ia kanë lënë në dorë drejtësisë.

Prane shtepise
Prane shtepise

Mësohet se daja i Arianit, 23-vjeç, që mbeti i plagosur është lëshuar nga Spitali dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“ Po thonë që ai është mirë tash, e kanë lëshu mjekët prej spitalit”, përfundoi kushëriri.

Express ka provuar të flasë edhe më punëdhënësit e Arianit, por ata nuk kanë dashur të prononcohen. Një punëtor i ri tashmë po zëvendëson Arianin.

Prane dyqanit ku punonte Ariani, Podujeve
Prane dyqanit ku punonte Ariani, Podujeve

Arian Selmani u vra më 15 nëntor rreth orës 22:00 me një breshëri plumbash, në drejtim të tij. Aktualisht hetuesit policor, janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për  të identifikuar personat e dyshuar, si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë.