Eliminimi i Ivanoviqit, dyshohet se u përfshinë edhe dy policë (të gjitha rreth vrasjes së tij) - Gazeta Express

Eliminimi i Ivanoviqit, dyshohet se u përfshinë edhe dy policë (të gjitha rreth vrasjes së tij)

23/11/2018 12:35

Dita e sotme filloi me raportimin e mediave për aksionin e ROSU-s në veri të Mitrovicës. Pas hetimeve disamujore, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e prokurorit Special të Prokurorisë Speciale dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në veri. Këto kontrolle rezultuan me arrestimin e katër personave, tre prej tyre dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kurse një tjetër është arrestuar për shkak se ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Dy nga të dyshuarit janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për N.S., viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherësh zyrtar policor në Veri të Mitrovicës, M.R. viti i lindjes 1993, M/S/K, D.M. viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës dhe A.C., viti i lindjes 1965, M/S/K.

Pas këtij aksioni Policia konfirmoi se gjendja në Veri është e qetë dhe nuk ka vend për shqetësim. Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, theksoi se aksioni i sotëm nuk ndërlidhet me zhvillimet politike në vend. Veprimi i tillë është në pajtim të plotë me ligjin, tha ai.

Lajmi për vdekjen e Ivanoviqit bëri bujë të madhe, figurat kryesore të shtetit bënë thirrje për zbardhjen e vrasjes së tij. Madje ndërkombëtarët theksuan se vrasja e politikanit serb të Kosovës mund të sjellë një tensionim të përgjithshëm të situatës në vend.

Për zbardhjen e vrasjes së tij, Policia e Kosovës ofroi shpërblim prej 10.000 eurosh për cilindo qytetar që jep informacione lidhur me kryesit e kësaj vepre.

Në vazhdimësi u shtuan zërat se prapa kësaj vrasjeje qëndron Beogradi zyrtar. Pati edhe raportime të tjera se në eliminimin e Oliver Ivanoviqit u përfshi edhe vetë gruaja e tij Milena Bogdan. Ajo nuk ka dhënë asnjë dëshmi për vrasjen e bashkëshortit.

Ndërkaq, prokurori special Sylë Hoxha tha sot se nga data 13 mars deri më tani janë gjithsej 40 dëshmitarë të intervistuar për vrasjen e Liderit të SDP-së, kryesisht nga pjesa veriore.

“40 dëshmitarë janë dëgjuar kryesisht nga pjesa veriore lidhur me këtë rast. Policia ka marrë aktvendim për të pandehurit që janë arrestuar për veprën penale vrasje e rëndë, Më datën 06.11 është marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve”, tha prokurori Hoxha, transmeton Gazeta Express.

Kush ishte Oliver Ivanoviq, politikani i njohur serb i vrarë në Mitrovicë?

I lindur më 1 prill të vitit 1953 në Irzniq të Deçanit dhe i rritur në Gjakovë e Mitrovicë, karateisti Oliver Ivanoviq u shndërrua në liderin kryesor të serbëve të Kosovës pas përfundimit të luftës. Përfaqësonte një frymë të re në politikën serbe që në atë kohë përfaqësohej nga Zoran Gjingjiq. (Linku)

Gjykata Themelore e Mitrovicës, në vendimin e 30 marsit 2016, e shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin për veprën penale të Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile dhe ndaj tij e shqiptoi një dënim prej 9 vjet burgim. Por në shkurt të vitit të kaluar u ndryshua masa ndaj Ivanoviqit në burg shtëpiak. /Gazeta Express