Ekskluzive: Pritet pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin - Gazeta Express

Ekskluzive: Pritet pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin

28/10/2015 17:21

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka shpalosur sot vendimin e saj për t’a dërguar në Gjykatë Kushtetuese Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të arritur gjatë muajit gusht në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe, për të parë nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatë vjen pas takimeve të Jahjagës me partitë në pushtet dhe ato opozitare. Por, plani i saj është hedhur poshtë nga opozita e cila ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të nënshkrimit nga Marrëveshja me Serbinë.

Sido që të jetë Jahjaga sot ka bërë të ditur planin e saj për të proceduar tutje.

“Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese” ka thënë Jahjaga.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se Jahjaga do të kërkojë masë të përkohshme për pezullimin e marrëveshjes.

“Presidentja pritet të kërkojë masë të përkohshme që nënkupton pezullimin e marrëveshjes deri në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese” kanë thënë burime të gazetës.

Mbetet të shihet nëse opozita do të heq dorë nga bllokimi i seancave deri në përgjigjen e Gjykatës.