Ekskluzive: Hashim Thaçi udhëtoi fshehtas në Amerikë, atje është edhe Vuçiqi - Gazeta Express

Ekskluzive: Hashim Thaçi udhëtoi fshehtas në Amerikë, atje është edhe Vuçiqi

21/03/2018 14:37

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur një vizitë të gjatë jashtë vendit. Por, gjysma e kësaj vizite ishte publike e gjysma po del të jetë e fshehtë.

Fillimisht Thaçi kishte udhëtuar drejt Londrës ku kishte promovuar librin e tij të botuar së voni. Më pas kishte udhëtuar drejt Parisit ku po ashtu e kishte promovuar librin dhe kishte dekoruar ish-Presidentin Sarkozy dhe ish-ministrin e Jashtëm Bernard Kouchner. Pas Parisit, Presidenti nuk ka bërë asgjë publike për aktivitetin e tij.

Në Serbi, ish-ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, ka akuzuar Vuçiqin se ka pasur darkë të fshehtë me Thaçin para se ky i fundit ta takonte Presidentin Macron.

Jeremiq më pas ka njoftuar se Vuçiqi ka udhëtuar drejt Shteteve të bashkuara të Amerikës për t’i vazhduar negociatat sekrete me Thaçin dhe duke e provokuar atë “A jeni në hotelin e njëjtë”.

Sido që të jetë, Gazeta Express merr vesh se Thaçi tash e sa ditë është duke qëndruar në SHBA.

Mediet serbe duke u thirrur në burime, kanë njoftuar se Presidenti i Serbisë ka pasur takime me zyrtarë të Administratës së SHBA-së duke e quajtur këtë ofensivë diplomatike të tij për çështjen e Kosovës.

Por këtu nuk përfundon historia e Thaçit me Vuçiqin.

Ata të premten do të jenë në Bruksel, ku janë ftuar nga Mogherini për bisedime të nivelit të lartë që kanë të bëjnë me definimin e formatit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë fundjavës gazeta vjeneze „Der Standard“, ka shkruar rreth bisedimeve për ndarjen e Kosovës. Sipas kësaj të përditshmeje gjermanët kanë parandaluar ndarjen e Kosovës, të cilën e kanë favorizuar serbët, por edhe pala kosovare për shkak të lodhjes me çështjen e veriut. Kjo, sipas diplomatëve, edhe ka bërë që të ndërhyjë Berlini. Por, një zyrtar, në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës austriake, se ka frikë se Thaçi dhe Vuçiqi mund të flasin në kanale tjera rreth ndarjes së Kosovës.