Dalin të pasakta paralajmërimet e Lumezit se në fund të janarit do të vendosej për aferën “Pronto”


18/02/2018

541 ditë, apo 17 muaj, nuk i kanë mjaftuar Prokurorisë Speciale për të nxjerrë një vendim lidhur me hetimet që i ka nisur ndaj Adem Grabovcit për aferën “Pronto”.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi pati premtuar, në dhjetor të vitit të kaluar, se vendimi për njërën prej dosjeve më të famshme për publikun, “Pronto” do të jepet më së largu në fund të janarit të vitit 2018.

Avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj, ka thënë se  deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim nga prokuroria.

Ai ka treguar se  nuk është i njoftuar nëse organi i akuzës nëse kanë pushuar hetimet ose është marrë ndonjë vendim.

 “Jo deri më tani kurgjë nuk me kanë njoftu nga Prokuroria”, ka thënë Latifaj, të dielën, për Express.

Kryeprokurori Aleksander Lumezi kishte premtuar se deri në fund të muajit janar do të kishte një vendim për aferën “Pronto”.

“…. më së largu deri në fund të janarit ne do të kemi një vendim të definitiv lidhur me këto hetime që jemi duke i bërë me rastin ‘Pronto’”, kishte thënë Lumezi, për JK.

Por, ka kaluar edhe gjysma e muajit shkurt dhe s’ka një vendim definitiv lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj zyrtarëve të PDK-së përfshirë edhe Adem Grabovcin.

Hetimet e Prokurorisë Speciale nisën vitin e kaluar, pasi portali ‘Insajderi’ publikoi disa përgjime telefonike ku zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dëgjohen tek punësojnë njerëz nëpër poste të larta shtetërore.

Pas kësaj, Adem Grabovci kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ishte eliminuar edhe nga gara për t’u bërë deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndaj Adem Grabovcit dhe disa zyrtarëve të tjerë të PDK’së kishin nisur hetimet kur insajderi publikoi përgjimet në të cilat dëgjoheshin zyrtarët e shtetit duke bërë pazare me vende pune në sektorin publik. Grabovci bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin etj. caktonin nëpër pozitat e larta publike militantë të PDK’së.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart