16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore - Gazeta Express

16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore

26/11/2014 17:29

UN Women, në emër të Grupit për siguri dhe barazi gjinore, ka dizajnuar një fushatë online që synon publikun e gjerë dhe në veçanti të rinjtë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi rreth çështjes së dhunës në baza gjinore (DhBGj) si dhe për të informuar publikun rreth aksioneve të vazhdueshme të cilave ata mund t’u bashkohen në mënyrë që të eliminohet burimi kryesor i pasigurisë së grave dhe vajzave.

Z. Andrew Russell, Koordinatori për zhvillim i kombeve të bashkuara, ka thënë: “Dje, unë u bëra njeriu i 194,294-të i cili u angazhua për lëvizjen e solidaritetit për barazi gjinore #HeForShe. Më parë, barazia gjinore ishte një lëvizje nga gratë për gratë. Nuk është më kështu. Pabarazia gjinore ka ndikim tek të gjithë ne dhe ka ardhur koha që burrat të marrin një qendrim. Nësë mund të bashkojmë gjysmën e njerëzimit në mbështetje të gjysmës tjetër të njerëzimit, atëherë do të përfitojmë të gjithë. 16 ditët e aktivizmit përfaqësojnë një mundësi unike për burrat në Kosovë që të tregojnë mbështetjën e tyre për barazi gjinore dhe për zhdukjen e të gjitha formave të dhunës ndaj grave”.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një problem global. Nga të gjitha gratë e vrara në botë në vitin 2012, gjysma janë vrarë nga anëtarë të familjes ose partnerë intimë, prandaj nëse jeni pjesë e fushatës 16 ditët e aktivizmit do të kontribuoni edhe në përpjekjet globale për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në Kosovë, duhet të ngrihemi kundër dhunës, duhet t’a ndalojmë atë, të gjithë së bashku-burra dhe gra, vajza dhe djem. Përveç kësaj, vendimmarrësit në Kosovë duhet të mbështesin implementimin e ligjeve nëpërmjet strategjive të qarta të cilat adresojnë shkaqet rrënjësore të pabarazisë gjinore, të dhunës ndaj grave, të cilat do të sigurojnë fuqizimin e gruas dhe arritjen e barazisë gjinore”, tha znj. Flora Macula, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë. Ajo shtoi: “Mesazhi im për burrat dhe djemtë është: ‘Denoncojeni dhe ndalojeni dhunën ndaj grave kur e shihni atë, dhe kurrë mos e praktikoni ju vetë’”.

Fokusi i përgjithshëm i fushatës 2014 në Kosovë është roli dhe përfshirja e të rinjve, dhe në veçanti e djemëve të rinj, në luftën kundër DhBGj. Si e tillë, fushata online mbështetet në materialet e prodhuara nga rinia vendore, në shqip, serbisht dhe anglisht. Në menyrë që të rinjtë të inkurajohen më shumë, u organizua një punëtori tre ditore me të rinjtë mbi dhunën në baza gjinore, përdorimin e gjuhës së ndjeshme gjinore dhe mbi shkrimin. Pas trajnimit, të rinjtë dorëzuan 12 punime, të cilat janë përmbajtja kryesore e fushatës. Punimet janë gjithashtu pjesë e një gare, e cila është nisur gjatë kësaj ngjarje. Pas votimit online deri me 8 dhjetor, dy fitues do të zgjedhen dhe do të shpërblehen me një tablet dhe një smartphone. Çmimet do të jepen si riafirmim i rolit të rëndësishëm që rinia luan në promovimin e të drejtave njerëzore të grave dhe luftën kundër dhunës në baza gjinore.

Fushata online (www.16days-noviolence-ks.com, www.16dite-jodhunes-ks.com, dhe www.16dana-nenasiljiu-ks.com), e promovuar edhe përmes mediave sociale (përmes Facebook: 16 Days – No Violence, dhe në Twitter: @16days_ks), është një nga veprimet që Kosova është duke ndërmarrë si pjesë e fushatës globale Say NO-UNiTE, platformë sociale e mobilizimit për të luftuar DhBGj-në.

Si pjesë e fushatës, dhe nëbashkëpunim me Demokracia për Zhvillim, një debat joformal në formatin sallonet e të martës do të mbahet me 2 dhjetor në Dit’ e Nat’, me temën “#HeForShe: Çfarë mund të përfitojnë burrat nga barazia gjinore?” Poashtu do të ketë bashkëbisedë në twitter me figura publike që do të fokusohet në përfshirjen e burrave në eliminimin e DhBGj-së dhe në sigurimin e barazisë gjinore. Për më shumë, gjatë 16 ditëve të aktivizmit, shumë organizata të shoqërisë civile, institucione Kosovare dhe organizata ndërkombëtare do të organizojnë ngjarje të ndryshme.

Webfaqja e fushatës do të jetë aktive në www.16dite-jodhunes-ks.com, duke ofruar informata të rëndësishme, statistika dhe punime të të rinjëve në temën e dhunës në baza gjinore.