Në Kosovë sot nuk është shënuar asnjë vdekje nga COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Kosova edhe sot po shënon zero raste të vdekjeve të pacientëve të infektuar me Covid-19. Falënderoj punonjësit e palodhshëm të Institutit, për përkushtimin e madh nga 13 marsi kur u shfaq rasti i parë me Covid-19, si dhe për kujdesin dhe shërbimet e ofruara për qytetarët dhe për luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e Armend Zemajt.
E kjo është hera e dytë që në Kosovë gjatë këtyre tre muajve të fundit nuk është shënuar as edhe një rast i vdekjes.
Zemaj ka falënderuar po ashtu edhe zyrtarët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe.
E gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 503 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 66 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 141 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 12.815 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.778.