Kurti e shënon Ditën e Kushtetutës, por thotë se nuk është e hartuar mirë dhe ka shumë mangësi - Gazeta Express
string(93) "kurti-e-shenon-diten-e-kushtetutes-por-thote-se-nuk-eshte-e-hartuar-mire-dhe-ka-shume-mangesi"

Kurti e shënon Ditën e Kushtetutës, por thotë se nuk është e hartuar mirë dhe ka shumë mangësi

Gazeta Express

09/04/2020 13:57

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përvjetorin e dymbëdhjetë të Kushtetutës së Kosovës, tregon se ka pakënaqësi që nga mënyra e hartimit të saj e deri te mangësitë, që sipas Kurtit, i ka akti më i lartë juridik i shtetit

Kurti thotë se “Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës” dhe se mendon që Kushtetuta e Kosovës lë për të dëshiruar.

Lexo Edhe:

“Kushtetuta e shtetit i paraprin pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Pasi ka përmendur këto, Kurti thotë se megjithatë do ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, vendimi i Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për shkak të virusit Covid-19, është shpallur i pavlefshëm dhe në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës.

“Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit”, ka shkruar Kurti. /Express/