Kryeministri i ri mes përkrahjes dhe kundërshtimeve - Gazeta Express
string(51) "kryeministri-i-ri-mes-perkrahjes-dhe-kundershtimeve"

Gazeta Express

04/06/2020 7:14

Kryeministri i ri mes përkrahjes dhe kundërshtimeve

Gazeta Express

04/06/2020 7:14

Dje në Kuvendin e Kosovës është votuar qeveria e re në krye me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Me 86 deputetë prezentë në sallë, 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim, Avdullah Hoti është kryeministër i ri i Kosovës.

Lexo Edhe:

E në këtë seancë kur u votua qeveria prezentë nuk ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që deri sot ishte duke udhëhequr me ekzekutivin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës votoi kundër.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli në fjalën e tij në Kuvend tha se qeveria e Hotit do të jetë vazhdim i mashtrimit që e kanë nisur sipas tij LDK-ja dhe VV-ja.

“Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.

E menjëherë pas votimit në Kuvend, Hoti për herë të parë foli para mediave si kryeministër i ri i Kosovës, duke u zotuar se do t’i dalë zot të gjitha sfidave me të cilat po përballet aktualisht Kosova dhe me ato që vinë në të ardhmën.

Hoti është zotuar se deputetët do të kenë shumë punë qysh në ditët e para të punës së qeverisë së tij.

“Faleminderit për këtë interesim. Sot në seancën e Kuvendit të organizuar shumë mirë është votuar qeveria e re dhe jam shumë i kënaqur që pas një pune të gjatë me partnerët qeverisës kemi bërë një program që adreson nevojat më emergjente që ka Kosova, që është lufta kundër pandemisë, rimëkëmbja ekonomike dhe Kuvendi do të ketë menjëherë shumë punë me pakot dhe ligjet që do t’i sjellim në Kuvend. Unë sot kam dhënë zotimet para koalicionit qeverisës dhe para qytetarëve të Kosovës, për ndërrimin e diskursit politik në vend, për të kthyer në normalitet dhe siguri vendin tonë, për të kthyer dhe forcuar miqësitë tona me ndërkombëtarët, jam i vetëdijshëm për sfidat, por jam i sigurt se me partnerët e koalicionit do t’i dalim zot këtij vendi.”, tha Hoti.

E në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa uroi të gjithë për formimin e qeverisë së re, ndërsa deputetëve iu tha se “vota e tyre do ta shpëtojë Kosovën”.

Më tutje, Mustafa tha se Hoti i ka të qarta objektivat e tij si kryeministër.

“Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkenëcore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz. Nuk e ofendoi askend; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike.”, shkroi ai.

Kurti, i cili gjatë gjithë ditës kur Hoti u zgjodh kryeministër dhe kabineti i tij u votua në Kuvend, ishte i heshtur.

Në mbrëmje, Kurti nëpërmjet një video-fjalimi tregoi se nga nesër nuk do të jetë më në zyrën e kryeministrit, por gjithashtu tha se nuk do të jetë aty për ta bërë pranim-dorëzimin e detyrës me kryeministrin Avdullah Hoti, me arsyetimin se nuk mund të pranojë atë që e ka shkarkuar.

Ai e quajti qeverinë e Hotit, “qeveri koti”, duke thënë se Vetëvendosja do të kthehet shpejtë.

Por, duket se mes kundërshtimeve, Hoti do të ketë përkrahjen e madhe nga partnerët e koalicionit.

Menjëherë pas votimit të qeverisë, foli edhe ish-kryeministri Haradinaj i cili tha se kjo qeveri do të përballet me sfidat që po e preokupojnë Kosovën.

“Pra sot, parlamenti i Kosovës votoi qeverinë e re, pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e vendit, mendojmë se me ditën e sodit fillon normaliteti, rimëkëmbja ekonomike, po ashtu kujdesi në përballje me pandeminë. Me sot i kthehemi normalitetit në vend dhe urime qytetarëve kjo qeveri, kjo nuk është kundër askujt, por me e ndihmu Kosovën”, tha Haradinaj.

E në mbrëmje, urime e përkrahje për qeverinë e re të Kosovës ka dhënë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili tha se do të përkrahë qeverinë dhe do të jetë në shërbim të vendit edhe nga qeveria edhe nga Kuvendi.

Hotin për marrjen e detyrës dhe Kosovën për formimin e qeverisë së re e uruan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke kërkuar kështu që të jetë vigjilente në përballimin e sfidave dhe duke përmendur dialogun.

“Mezi presim të punojmë me qeverinë Hoti, për të vazhduar punët e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe përparimin, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve rajonale në luftimin e pandemisë së COVID-19”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Bashkimi europian gjithashtu ka uruar sot Qeverinë e re të Kosovës me Avdullah Hotin në krye thotë se mezi pret punën tonë të përbashkët për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë.

“Pandemia e koronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen e parashikueshme dhe BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj europiane. Kjo do të kërkojë përpjekje të vendosura për reforma për të forcuar sundimin e ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik”, thuhet në deklaratë.

Edhe shtete të tjera si Shqipëria, Austria, Britania e Madhe dhe të tjera uruan Avdullah Hotin për marrjen e detyrës së kryeministrit dhe Kosovën për formimin e qeverisë së re.

Në anën tjetër, nesër, kryeministri Avdullah Hoti do të fillojë punën si kryeministër në ora 09:00 të mëngjesit me ceremoninë zyrtare, por pa prezencën e ish-kryeministrit Albin Kurti i cili siç u lartcek ka refuzuar të bëjë pranim-dorëzimin e detyrës.