Kthehu lart

Zëvendësministri i Jashtëm: MPJ s’është ndërmarrje private, diplomacia po tregon dobësi

Zëvendësministri i Jashtëm: MPJ s’është ndërmarrje private, diplomacia po tregon dobësi GazetaExpress

Njëri prej Zëvendësministrave të Qeverisë së Kosovës, Anton Berisha nuk dëshiron të përfshihet në debatin se sa njohje i kanë ardhur deri tash Kosovës. Nuk e konfirmon nëse janë 115 apo 117 njohje.

Por, e konfirmon se diplomacia e Kosovës po tregon dobësi. Sidomos në raport me Serbinë e Rusinë. Madje, thotë se duhet kërkuar sqarime se pse nuk pati reagime ndaj deklaratave të Sergej Lavrovit në Serbi.

Numri dy i MPJ’së thotë se institucionet e Shtetit nuk duhet të shikohen si ndërmarrje private.

“MPJ është institucion kombëtar me reflektime ndërkombëtare dhe jo një ndërmarrje private e një, dy e as e tre personave”, thotë Berisha në një intervistë për Gazetën Express.


Express: Kush po porosit shkrime kundër njohjeve, meqë një ditë më parë lëshuat një akuzë të tillë?
Anton Berisha: Çështja e njohjeve duhet te jete preokupim jo vetëm i politikes por i gjithë shoqërisë duke përfshirë edhe mediat. Çdo shmangie nga ky qëllim shkon në dëm të Kosovës. Porositësit janë në thelb armiqtë e Pavarësisë së Kosovës, e të cilët kane ende ndikim edhe brenda Kosovës për të mos thënë i kanë dosjet e tyre.

Express: Keni thënë se Rusia dhe Serbia po kanë ndikim edhe në shtetin dhe institucionet e Kosovës dhe në MPJ. Kush mund të jetë i afërt me këto shtete nga MPJ: Aludoni te Shefi i MPJ’së, Shefi i Qeverisë apo...?
Anton Berisha: Ajo që mund të them është se Anton Berisha nuk ka asnjë dosje jo vetëm personale, por as familjare në këta shekuj, prandaj nuk kam asnjë kufizim për të reaguar sa herë qe mendoj se është në dëm të Kosovës.

Mosreagimi ndaj ashpërsisë së deklaratave ministrit te jashtëm rus Lavrovit në Serbi, ishte dobësi e diplomacisë sonë dhe dikush duhet të sqarojë se pse ka ndodhur ashtu dhe për çfarë arsye.

Express: Ish-kryeministri Thaçi dikur i kishte klasifikuar njohjet në kualitative dhe kuantitative, duke kategorizuar edhe rëndësinë e tyre në sasinë e tyre. Tash ishte një Letër nga Burundi drejtuar Pacollit se dikush nga zyrtarët shtetërorë po e cilëson njohjen e këtij shteti si të parëndësishme. Mund të na e sqaroni se pse ka njohje të rëndësishme dhe të parëndësishme?
Anton Berisha:  Përpjekja e personalizimit të njohjeve tregon nivelin e ulët të kulturës diplomatike e shtetërore. Njohjet janë çështje te raporteve ndërmjet shteteve duke përfshirë edhe gjeopolitikën.

Çdo njohje është e mirëseardhur dhe e nevojshme, por për Kosovën si shtet europian natyrisht se njohjet nga vendet europiane kanë rëndësi me te madhe edhe për shkak të arsyeve ekonomike, politike, kulturore e integruese.

Express: Sa është numri i njohjeve që i ka Kosova, janë 115, 116, 117 apo janë sa po thotë Daçiq: 110?
Anton Berisha:  Jam kundër involvimit tonë në debate shterpe me përfaqësuesit serbë e më së paku me një diplomat thashethemexhi çfarë është ish-bashkëpunëtori i Milosheviqit, siç është Daçiq.

Disa, për fat të keq, nuk po lirohen prej kompleksit të inferioritetit ndaj serbëve dhe tentojnë që ne të rrimë kujdestarë në temat e tyre dhe t’u dëshmohemi atyre.

Express: Cilët ambasador do të kthehen në Kosovë dhe kush janë ambasadorët e rinj, meqë ka pasur raportime se disa do të kthehen në Kosovë ndërsa të rinj do të shkojnë për ta përfaqësuar diplomacinë e Republikës?
Anton Berisha: Procesi i përfaqësimit të diplomatëve ka një rëndësi të madhe për Kosovën ngase është një lloj pasqyre e jonë.

Besoj qe ministri ta kuptojë këtë si nevojë për të analizuar mire dhe ta shqyrtojmë në detaje. Kjo nuk është kompetencë e një personi, cilado qoftë pozita e tij dhe unë pres reflektimin e tij. MPJ është institucion kombëtar me reflektime ndërkombëtare dhe jo një ndërmarrje private e një, dy e as tre personave. Në fund të fundit, kjo është pika ku tregojmë nivelin e kulturës shtetërore.

    Data: 04 Mars 2018 14:11
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera