Tahiri: Prokuroria Speciale do të fuqizohet nga Ligji për Prokurorin e Shtetit

Intervistë me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin.

GazetaExpress

Ministër, në mesin e projektligjeve që keni sponzorizuar, është edhe ai për Prokurorin e Shtetit. Pse është ndërmarrë kjo iniciativë dhe çfarë ndryshimesh ka paraparë Projektligji i ri?

Ministri Tahiri: Agjenda legjislative që kemi përpara si Ministri që është përgjegjëse për hartimin e politikave të drejtësisë, ka për qëllim të adresojë tri aspekte të rëndësishme: së pari, të japë përgjigjen e duhur ndaj sfidave të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të njëjtin ta bëjmë efikas, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës; së dyti, të japë zgjidhjen më të mirë në raport me shërbimet juridike dhe qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët; dhe së treti, që të jetë në përputhje dhe në funksion të plotë të perspektivës sonë integruese në Bashkimin Evropian.Në përmbushje të këtyre aspekteve, ndryshimi i ligjit për prokurorin e shtetit është rekomanduar si pjesë e Agjendës së Reformave Evropiane, pra si një nevojë për të rritur shkallën e efikasitetit të punës së sistemit prokuororial, institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Shtetit në veçanti.Ky ndryshim është bërë në kohën kur po krijojmë momentin e një këndellje funksionale dhe organizative të gjithë sistemit të gjykatave dhe prokurorive, andaj, projektligji i ri është bërë për të adresuar dhe definuar kushtet e përgjithshme dhe specifike për emërimet në pozitat e prokurorëve, por po ashtu edhe aspekte tjera që lidhen me mandatin e tyre. Fillimisht, përgjegjësia e Kryeprokurorit të Shtetit në hetimin dhe ndjekjen penale, si pjesë e ushtrimit të funksioneve prokuroriale, është definuar qartë. Gjithashtu,  projektligji i ri parasheh që Kryeprokurori i Shtetit të mund të caktoj prokurorët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, sipas  nevojave urgjente dhe ngarkesës me lëndë në këtë prokurori.Edhe kriteret që duhet plotësuar për t’u emëruar prokurorë në Prokurorinë Speciale janë rishikuar, si dhe është bërë ekuivalentimi i tyre me kriteret  për emërimin e prokurorëve në departamentin për Krime të Rënda. E gjithë kjo është bërë për të rritur numrin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale, si dhe rritjes së efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e krimeve për të cilat është kompetente Prokuroria Speciale. Meqenëse për emërimin e tyre ka pasur vonesa, me projektligjin e ri mjafton që kandidati  të ketë mandat të përhershëm si prokuror dhe vlerësim pozitiv të performancës.Në vazhdën e këtyre përpjekjeve për të fuqizuar sundimin e ligjit, veçmas duke ofruar politika legjislative të mirëfillta, jam tejet falënderues ndaj Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës që kanë përkrahur këtë Projektligj, duke mundësuar organizim më të mirë të gjithë sistemit prokurorial të vendit. 

Ministër, megjithatë ka pasur ankesa rreth kompetencave të transferimit të prokurorëve nga një prokurori në tjetrën. Pse kjo përgjegjësi është bartur nga Këshillit Prokurorial tek Kryeprokurori? 

Ministri Tahiri: Ky është një keqkuptim, pasi kompetenca e transferimit sigurisht që mbetet tek Këshilli Prokurorial. Projektligji i lejon Kryeprokurorit të Shtetit, në bazë të përgjegjësive ligjore për menaxhimin e prokurorive dhe si autoritet kryesor në hetimin dhe ndjekjen penale, mundësinë e caktimit përkohësisht të prokurorëve vetëm sipas  nevojave urgjente dhe ngarkesës me lëndë në Prokurorinë Speciale dhe atë deri në një (1) vit me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.Projektligji i jep një qasje fleksibile punës në këto institucione, në mënyrë që mos të bllokohet puna për arsye të procedurave të tej ngarkuara. Pra, ndryshimet janë bërë që sa më lehtë të arrihet qëllimi i vetë ligjit, që është rregullimi i organizimit, juridiksionit, funksioanlizimit, kompetencave dhe detyrave të Prokurorit të Shtetit. 

Projektligji ishte pjesë e Agjendës për Reforma Evropiane. A besoni se keni përfunduar obligimet e marra në këtë proces? 

Ministri Tahiri: I vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë para nesh, megjithatë jam i kënaqur me punën që kemi bërë në këta pak muaj në Ministrinë që drejtoj. Vetëm në 100 ditët e para të punës, në afate rekorde i kemi përmbushur obligimet Agjendës për Reforma Evropiane (ERA). Përveç Projekligjit për Prokurorin e Shtetit, ne kemi përfunduar në kohë të gjitha obligimet, duke bërë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme të legjislacionit të fushës, të cilat kanë për qëllim të avancojnë dhe forcojnë sundimin e ligjit, forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të institucioneve gjyqësore të pavarura dhe efiçiente, si dhe luftimin e dukurive negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar.Përveç këtij projektligji, si pjesë e obligimeve të ERA’s, kemi hartuar dhe tashmë është miratuar në lexim të parë, Projektligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, po ashtu kemi hartuar edhe Koncept dokumentin për suspendimin e zyrtarëve në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilin e kemi integruar në ndryshimet në Kodin Penal që po ashtu shumë shpejt do jetë në agjendën e Kuvendit për miratim. Pra, të tre këto obligime që burojnë nga ERA, tashmë si Ministri e Drejtësisë i kemi përmbushur dhe presim edhe kontributin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që këto ndryshime të miratohen sa më parë dhe t’i hapin rrugë rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë.

Të tjera

Lajmet e fundit