Pse duhet një gjykatë speciale për krimet e luftës në Kosovë?

OKB vlerëson se institucioni kryesor ndërkombëtar i drejtësisë mbetet Gjykata Ndërkombëtare në Hagë. Në 20 vjetorin e krijimit, Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres thekson mbështetjen që OKB i ka dhënë Gjykatës.

GazetaExpress

Nëse Gjykata ndërkombëtare në Hagë është institucioni më i rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë, atëherë pse u krijua për Kosovën një gjykatë tjetër? Me këtë pyetje i drejtohemi zyrës së shtypit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.

"Gjykata Speciale në Kosovë është krijuar me një ndryshim kushtetues dhe një ligj të adoptuar nga Parlamenti i Kosovës” - kjo është përgjigjja që na thonë. Burime nga Kombet e Bashkuara theksojnë se nuk e financojnë Gjykatën Speciale të Kosovës.

Dr. Alexander Heinze është ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Göttingen-it (GAU). Ai sqaron se "krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, bazohet në një letërkëmbim midis Bashkimit Evropian dhe qeverisë kosovare në vitin 2014, ku theksohet se baza ligjore për krijimin e Gjykatës speciale duhet krijuar në Kosovë me anë të një ligji. Kështu parlamenti aprovoi më gusht të 2015 një ndryshim kushtetute për të hapur rrugën për krijimin e gjykatës. Institucionet e Gjykatës Speciale të Kosovës janë një projekt unik qeveritar, i cili përkrahet nga shtetet e tjera të rëndësishme dhe financohet krejtësisht nga BE”.

Kurse krijimi i Tribunalit Ndërkombëtar për krimet në ish-Jugosllavi është bërë pesëmbëdhjet vjet më parë me vendim të Këshillit të Sigurimit të KB me rezolutën 808. Kështu Gjykata për ish-Jugosllavinë është organ i Kombeve të Bashkuara. Gjykata për krimet e Kosovës është organ i bashkangjitur sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ndryshimet midis Gjykatës Speciale dhe asaj të për ish-Jugosllavinë kanë të bëjnë edhe me strukturën. Gjykata për ish Jugosllavinë ka qenë me tre dhoma, Gjykatën, Apelin dhe Organin e Akuzës. Gjykata e Kosovës ka dy institucione, Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar. Dhomat janë pjesë e sistemit Kosovar të drejtësisë dhe i bashkangjiten Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Në to punojnë gjykatës të emëruar nga EULEX.

Prokurori Special është i pavarur nga dhomat dhe ka policinë e vet, e cila ka të drejta njësoj si policia kosovare. Kjo nuk ka qenë në Gjykatën për ish Jugosllavinë.

Pse nevojitet një trajtim special për Kosovën?

"Së pari shtrohet pyetja pse duhet të krijoheshin Dhomat e reja. Kjo është një pyetje më shumë politike se juridike. Në thelb krijimi i Gjykatës Speciale për Kosovën është përpjekja e katërt për të gjykuar krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” thotë Dr. Heinze.

A nuk ka pasur mundësi të trajtoheshin krimet brenda Gjykatës për ish-Jugosllavinë?

"Në fakt Gjykata për krimet në ish-Jugosllavi pati akuzuar ish komandantë të UÇK, si Fatmir Limaj, Isak Musliu, Haradin Bala, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Prej tyre u dënua vetëm Haradin Bala. Gjykata për ish Jugosllavinë u mor edhe me krimet e bëra nga nënshtetas serbë gjatë konfliktit të armatosur më 1999: Kështu u dënuan ish- zëvendëskryeministri jugosllav Nikola Sainovic, ish gjenerali jugosllav Nebojsa Pavkovic, gjenerali i policisë serbe Sreten Lukic, gjenerali Vladimir Lazarevic, shefi i shtabit Dragoljub Ojdanic dhe Vlastimir Ðordevic, shef i zyrës për sigurinë publike në ministrinë e Brendshme serbe.

Gjykata për ish-Jugosllavinë nuk u mor me gjykimet e krimeve të UÇK nga 1999 deri 2000, sepse nuk ishte në kompetencën e saj. Gjykata kishte nën kompetencë vetëm krimet në ish-Jugosllavi, ndërkohë që sipas raportit të Task Force për hetimet, pjesëtarë të UÇK kanë bërë krime edhe në territorin shqiptar. Carla del Ponte, kryeprokurorja e Gjykatës kërkoi zgjerimin e statusit të Gjykatës për ish-Jugosllavinë. Kjo do të kishte qenë më e lehtë se ngritja e Gjykatës Speciale".

Të tjera

Lajmet e fundit