Kthehu lart

Latifi: Hawking në çështjen e religjionit mbeti deri në fund iluminist

Latifi: Hawking në çështjen e religjionit mbeti deri në fund iluminist GazetaExpress

​Intervistë me Blerim Latifin - profesor i filozofisë së religjionit në Universitetin e Prishtinës - për Stephen Hawking, fizikanin britanik që vdiq në moshën 76 vjeçare.

Express: Sot gjithandej mediave nëpër botë ishte lajm i rëndësishëm vdekja e fizikanit të njohur britanik Stephen Hawking. Për një kohë të gjatë Hawking është vlerësuar si një nga mendjet më gjeniale të shkencës bashkëkohore.

Latifi: Fillimisht, më duhet të përmend faktin se informimi për kontributin konkret të Hawking-ut në fushën e shkencës së kozomologjisë është jashtë kompetencës sime profesionale. Ky informim u takon ekspertëve të kësaj fushe. Rëndom shkencëtarët e shkencave natyrore, edhe në rastet kur arrijnë në rezultate të mëdha në fushat e tyre, mbesin emra pak të njohur për publikun, përjashto rastet kur e marrin Çmimin Nobel. Së pari, këtë e kushtëzon fakti se publiku e ka të vështirë t’i kuptoj teoritë e tyre abstrakte e të specializuara dhe së dyti, këto teori nuk kanë impakt të drejtpërdrejtë dhe të prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve. Hawking bënte përjashtim nga padukshmëria publike e kolegëve të komunitetit të tij për faktin se autoritetin e tij shkencor e shfrytëzonte si platformë për të dhënë mendime për fushat e tjera intelektuale dhe sociale, si ta zëmë religjionin, filozofinë, politikën, jetën njerëzore në përgjithësi. Publiku i gjërë e njeh më shumë për këto mendime, e shumë pak për teoritë e tij në fizikën kozmologjike. Natyrisht nuk duhet të mendojmë se ka hendeqe mes këtyre dy funksioneve intelektuale : mendimet e Hawking për fushat tjera reflektojnë idetë e tij themelore në kozmologji.

Çështja e religjionit është një nga temat kryesore në këtë që ju po e quani “mendime për fushat tjera”.

Latifi: Kushdo që ka për vokacion filozofinë dhe kozmologjinë heret a vonë do të ballafaqohet me religjionin, përkatësisht me pretendimet e tij për të dhënë dituri mbi zanafillë, krijimin dhe funksionimin e botës. Hawking merret pikërisht me këtë dimension të religjionit dhe pikëpamjet e tij, në këtë rast, përgjithësisht, reflektojnë debatet e mëdha që janë zhvilluar tradicionalisht në filozofinë e religjionit dhe teologjinë natyrore, që nga Aristoteli e deri tek Kanti.

Cila është pikëpamja e tij për religjionin?

Në njërën nga veprat e tij më të fundit, “Dizajni i Madh”, që u publikua në vitin 2010, shohim se Hawking ka një pikëpamje për religjionin, të cilën e gjejmë në filozofitë e rëndësishme të iluminizmit evropian. Iluministët konsideronin se njerëzit e shpikën religjionin dhe perënditë për shkak të mosnjohjes së natyrës dhe ligjeve të saj. Për ta, religjionet ushqehen prej injorancës dhe mungesës së njohurive shkencore për natyrën dhe jetën. Këtu qëndron baza e asaj që njihet si konflikti i shkencës me fenë. Përparimi i të parës shoqërohet me rënien e të dytës. Hawking e përvetëson këtë pikëpamje duke konisderuar  se shkenca bashkëkohore nuk mund ta mbështes hipotezën e Zotit.

Pra Hawking është një shkencëtar ateist?

Në tekstet e tij, ai e bën të qartë se përfytyrimi për një Zot krijues të botës, që ka cilësi të personalitetit, që hidhërohet e gëzohet me krijesat e tij, që i ndëshkon ato kur nuk i binden vullnetit të tij dhe i shpërblen kur i binden, është një lloj përralle e lashtë pa asnjë bazë shkencore. Kështu që, nga pikëpamja e kritereve të judaizmit, krishterimit dhe islamit, pra tre religjiove të mëdha monoteiste, Hawking është ateist. Ai konsideron se natyra qeveriset nga ligje të rrepta  që e përjashtojnë në mënyrë kategorike mrekullinë, e cila nënkupton një ngjarje që thyen ligjet e natyrës. Religjionet bazohen pikërisht mbi të tilla mrekulli dhe nëse i përjashtojmë ato, kjo i bie se ia kemi mbyllur dyert vetë religjionit në çështjet e  shpjegimit të realitetit. Hawking e përvetëson konceptin e determinizmit të plotë shkencor, të zhvilluar dy shekuj më parë nga fizikani francez Pierre-Simon De Laplace. Ky mendonte se gjithçka në univers ndodhë në bazë të ligjeve të hekurta e të pathyeshme të natyrës. Është e njohur biseda e Napoleonit me Laplace-in për këtë çështje. “Po Zoti ku qëndron në këtë univers ligjesh të rrepta?”, e pyeti Napoleoni. “Zoti është një hipotezë e panevojshme!”, i’u përgjegj Laplace. Hawking konsideron se determinizmi i Laplace-it është baza mbi të cilën mbështetet e gjithë shkenca moderne, përfshirë edhe pikëpamjet e tij kozmologjike. Këtë e bën të qartë vetë Hawking në librin e tij “Dizajni i Madh”.

Mirëpo, shtrohet një pyetje tjetër : Prej nga vijnë këto ligje? Kush është autori i tyre,  kush është ligjdhënësi? 

Teologët konsiderojnë se kjo çështje është ana e tyre më e fortë. Ata besojnë se ligjet e natyrës presupozojnë autoritetin ligjëdhënës, që, për ta, është vetë Zoti. Edhe filozofë të njohur si Dekarti dhe fizikanë të njohur si Njutoni e besonin këtë gjë. Hawking e refuzon këtë pikëpamje. Ai konsideron se karakteri i ligjeve të natyrës e përjashton idenë e një Zoti që i ka dekretuar ato. Nëse kemi një Zot që i ka nxjerrë këto ligje, atëherë kjo lë mundësinë që ligjëdhënësi edhe t’i shfuqizoj ato arbitrarisht përmes mrekullive të tij, por kjo nuk është e mundur, sepse këto janë ligje të pathyeshme dhe karakteri i tyre nuk duhet të ngatërrohet me karakterin e ligjeve politike të rendit social. Kjo i ka shtyrë shumë mendimtarë që ta identifikojnë Zotin me vetë ligjet e natyrës, siç bën, ta zëmë, filozofi holandez Spinoza, i cili ka ndikuar shumë në konceptin e Ajnshtainit për Zotin. Disa të tjerë janë munduar ta zgjidhin këtë çështje duke zhvilluar idenë se Zoti është krijues i botës, por, pas krijimit të saj, bota qeveriset krejtësisht nga ligjet e natyrës dhe Zoti nuk përzihet më në të. Kjo pikëpamje quhet deizëm dhe, meqë po flasim për një shkencëtar britanik, duhet të theksojmë faktin se kjo pikëpamje ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën politike britanike.

Si mund ta kuptojmë këtë ndikim? 

Filozofi dhe juristi i njohur gjerman Carl Schmitt ka një koncept interesant për raportin në mes teologjisë dhe jurisprudencës në epokën moderne. Ai thotë se të gjitha konceptet politike moderne janë sekularizim i koncepteve religjioze. Në kontekst të këtij sekularizimi, deizmi, pra pikëpamja se bota qeveriset nga ligje të rrepta e të pathyeshme, në të cilat nuk përzihet Zoti, qëndron prapa konceptit jurdiko-politik të sundimit të ligjit (rule of law), një koncept ky, ekskluzivisht, i lidhur me kulturën politike britanike. Në këtë koncept sovrani nuk mund të dalë mbi dhe kundër ligjit. Në fakt Sovrani është vetë ligji. Monarkia kushtetuese britanike e reflekton qartësisht këtë ide dhe është vështirë të kuptohet kjo ide nëse nuk e njohim background-in e saj kulturor. Shoqëritë, të cilat besojnë tek ndërhyrjet e Zotit në jetën e njerëzve, e kanë të vështirë ta jetësojnë idenë e sundimit të ligjit në rendin e tyre politik. 

A vlenë kjo edhe për shoqërinë kosovare?

Sa më tepër të lejojmë që feja t’i fus hundët në politikë dhe institucionet e shtetit, sigurisht, aq më larg do të jemi nga jetësimi i sundimit të ligjit në shoqërinë tonë.

Sot bashkë me lajmin për vdekjen e Hawking  nëpër rrjetet sociale po qarkullojnë fragmente mendimesh ku thuhet se Hawking para vdekjes I ka rënë pishman ateizmit të tij dhe ka pranuar ekzistencën e Zotit?

E para, kur Hawking operon me termin Zot ai nuk ka parasysh përfytyrimin dhe konceptin fetar të Zotit. Në tekstet e tij ai distancohet qartë nga ky përfytyrim. E dyta, jemi duke jetuar në epokën e pas të vërtetës. Kjo do të thotë se sot publiku është i mbërthyer nga individët dhe agjencitë që prodhojnë e shpërndajnë panderprerë lajme të rreme për secilin dhe për çdo gjë, natyrisht jo për qëllimet e të vërtetës, por për interesa të tjera. Ky fat e priste edhe lajmin për vdekjen e një dijetari të madh si Hawking, por kushdo që, realisht, është i interesuar të informohet saktë mbi pikëpamjet e tij duhet t’u drejtohet librave të tij, sidomos atyre që kanë një karakter më popullarizues, siç është libri “Dizajni i Madh”. Aty janë mendimet e vërteta të Hawking, e jo në thashethemnajën digjitale, ku të painformuarit janë viktimat e para të mashtruesve. /GazetaExpress/. 

    Data: 14 Mars 2018 15:17
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera