Intervistë| Shkelzen Maliqi: Shkëmbimi i territoreve është lojë dhe opsion i Serbisë, sjell fatkeqësi

Analisti politik, Shkelzen Maliqi po e sheh si lojë të Serbisë mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Kosovën. Thotë se duke shkëmbyer territore dhe zhvendosur popullsi, kjo edhe shkakton konflikte dhe fatkeqësi. Në një intervistë për Express, Maliqi, sqaron se këto ide pikënisjen e kanë te propozimet e vazhdueshme të zyrtarëve serbë që marrëveshja me Kosovën të përfshijë shkëmbimin e territoreve ose ndarjen mbi baza etnike.

Donika Krasniqi

Gazeta Express, edhe mbrëmë raportoi se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë gjatë janarit për Express se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide.

Ndërkaq, për këtë çështje, ka folur edhe ish- ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni.

Ai për Express e ka bërë të qartë se ndryshimi i kufijve s’mund të bëhet pa tragjedi dhe humbje të jetëve të njerëzve, duke mos shmangur as luftëra të reja.

INTERVISTA

GazetaExpress: Si i komentoni raportimet e fundit rreth asaj se po bëhen negociata të fshehura në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh?

Shkelzen Maliqi:Janë spekulime që pikënisjen e kanë te propozimet e vazhdueshme të zyrtarëve serbë që marrëveshja me Kosovën të përfshijë shkëmbimin e territoreve ose ndarjen mbi baza etnike: atje ku janë serbët shumicë, komunat në veri të Kosovës  duhet t’i takojnë Serbisë, kurse Lugina e Preshevës – Kosovës. Por ka edhe variante tjera të kësaj natyre.

Nuk mund ta pohoj nëse vërtet ka biseda të fshehta rreth kësaj. Nëse këto biseda zhvillohen si të fshehta, zakonisht nuk publikohet asnjë informatë paraprake.  Përjashtim janë situatat kur praktikisht është arritur marrëveshja atëherë mund të plasohen zërat për atë si parapërgatitje të opinioneve.  Në ato raste zgjidhja prezantohet e paketuar mirë për të dukur si vin-vin opsion (të dy palët potencojnë elementet e fitores, p.sh. te shqiptarët se Lugina bëhet pjesë e shtetit te Kosovës; te Serbët se veriu i Kosovës integrohet në Serbi!). Po kështu, zgjidhja duhet të ketë edhe përkrahjen e pa rezervë të fuqive të mëdha, që atë e cilësojnë si faktor stabilitet dhe sigurie afatgjate për rajonin.

Shumë nga këto elemente mungojnë në spekulimet e fundit, kështu që konsideroj se duhet të merren me rezerva të mëdha, më shumë si dëshirë e Serbisë që ky opsion të futet në lojë se sa kjo është realisht e mundshme.  

GazetaExpress: Konsideroni se është i nevojshëm shkëmbimi i territoreve?

Shkelzen Maliqi: Nuk është diçka e domosdoshme e as e preferuar nëse arrihen standardet e avancuara demokratike në Kosovë dhe Serbi për mbrojtjen e minoriteteve. Dy shtetet mund të merren vesh që minoritete të kanë të drejtat e njëjta, simetrike, me gjithë elementet e të ashtuquajturit “diskriminim pozitiv”, të cilat p.sh. Kushtetuta e Kosovës ua garanton serbëve, madje ka krijuar edhe shumë mini-komuna më shumicë të popullsisë vetëm që  ata të ndihen më rehat në shtetin ku shumicë absolute janë shqiptarë. Gjë që aktualisht Serbia nuk ua njeh shqiptarëve në Luginë.

Vetëm se në situatën kur në Serbi dominon nacionalizmi etnocentrik, ende insistohet në zgjerimin e shtetit serb kudo që ka shumice serbe. Disa diplomatë, edhe ata perëndimorë, mendojnë se shkëmbimet e territoreve mbi baza etnike mund të jetë zgjidhje pragmatike jo vetëm si vazhdim i praktikave të rikompozimit etnik të territoreve gjatë shkatërrimit të ish Jugosllavisë, por edhe si model për krizat e ngjashme në Lindje të Evropës dhe në zonat e luftërave në Irak, Siri etj

GazetaExpress: A mund të ketë pasoja të rënda një situatë e tillë?

Shkelzen Maliqi: Zakonisht shkëmbime territoresh dhe zhvendosja e popullsive shkakton konflikte dhe fatkeqësi për ata që mbeten pakicë në zonat e populluara me shumicë të kombësive tjera. Edhe nëse qeveritë e dy vendeve merren vesh, do të ketë të pakënaqur dhe forca që do të kundërshtojnë projektin duke shkaktuar konflikte të intensiteteve të ndryshme, që rrezikojnë edhe luftëra…

GazetaExpress: Mendoni se kjo ide për shkëmbim territoresh është edhe pjesë e dialogut, pasi, ka informacione se këtë e kanë përkrahur edhe zyrtarë të BE’së?

Shkelzen Maliqi: Dialogu është në krizë dhe nuk është gjetur ende formula e vazhdimit të tij. Kështu që nuk po e shoh se si mund të jetë opsioni i ndarjeve dhe shkëmbimeve pjesë e dialogut pothuajse inekzistent, ose i reduktuar vetëm në çështje teknike. BE-ja nuk është edhe ashtu unike rreth Kosovës, 5 anëtare janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe po aq sa kanë frikë nga njohja e pavarësisë, edhe më shumë do t’i frikësoheshin ndryshimit të kufijve. Për shembull Spanja e ka problemin e Katalonisë dhe nuk do të jepte në asnjë variant përkrahje marrëveshjes për shkëmbim territoresh që pas njohjes nga ana e Serbisë do ta legalizonte pavarësinë e Kosovës. Si do të mund ta ndalte atëherë  Madridi ndarjen e Katalonisë?

Vetëm se një krizë e re globale, me shumëzimin e shteteve që po copëtohen ose janë gjysmë të coptuara (Qipro, Ukrajina, Siria, Iraku, Gjorgjia, Armenia, Azerbejxhani, Kurdistai etj. )  do të mund të shtynte bashkësinë ndërkombëtare që të kërkojë rregulla të reja të lojës dhe njohjen e subjekteve të reja shtetërore që praktikisht janë shkëputur nga shtetet aktuale sovrane. Kjo në teori mund të projektohet dhe mbrohet, por në praktikë do të jetë burim i pashtershëm i rreziqeve dhe konflikteve

Të tjera

Lajmet e fundit