Kthehu lart

Intervistë me Shkëlzen Maliqin: Veseli i bëri ofertë të parezistueshme Ramush Haradinajt

Intervistë me Shkëlzen Maliqin: Veseli i bëri ofertë të parezistueshme Ramush Haradinajt Autori: Donika Krasniqi GazetaExpress E enjte, 18 Maj 2017 18:04

Analisti politik Shkëlzen Maliqi në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar zhvillimet që ndërlidhen me zgjedhjet e 11 qershorit. Maliqi ka thënë se Haradinaj nuk ka mundur t’i rezistojë ofertës së Veselit për kandidaturën e Kryeministrit. Por sipas tij edhe PDK’së kjo “sakrificë” do t’i kompensohet me favore tjera. Sipas Maliqit koalicioni PDK –AAK –NISMA do ta menaxhojë më lehtë situatën kur të nisin arrestimet por sipas tij, Gjykata Speciale nuk është motivi kryesor për këtë koalicon.

Express: Z Maliqi, në zgjedhjet e 11 qershorit në garë do të jenë dy blloqe të mëdha të partive që kanë hyrë në koalicione, PDK-AAK e Nisma dhe LDK-AKR e Alternativa. Si i vlerësoni këto koalicione? Kush sipas jush do të dal fitues?

Maliqi: Për fituesin do të vendos sovrani, vota e zgjedhësve. Dy koalcionet janë bërë si një garë paraprake për sigurimin përparësisë në bazë të raportit të supozuar të forcave. Por, më 11 qershor do të shohim se a kanë qenë kalkulimet e sakta.

Sa i përket vetë koalicioneve parazgjedhore, ato janë mjet legjitim që partitë e shfrytëzojnë për të rritur ndikimin dhe siguruar më shumë vota dhe pushtetin. Ndonjëherë ato mund të duken joparimore, lidhen edhe mes subjekteve që deri dje kanë qenë kundërshtare ose janë të spektrit të ndryshëm ideologjik, por gjithnjë ka edhe arsye racionale pse ato bashkohen. Në rastin tonë krijimi i koalicioneve parazgjedhore ëshë bërë i domosdoshëm për shumë subjekte sepse e kemi pragun e lartë prej 5 % që shumë parti të vogla nuk mund ta kalojnë edhe pse marrrin mjaft vota p.sh. 10 deri 30 mijë, që përkthehet në 2 deri 5 mandate, por që nuk janë të mjaftueshme për qenë pjesë e Kuvendit. Nëse dalin vetëm në zgjedhje këto vota janë humbëse, kurse lidhja e koalicionit me subjektet e mëdha ua mundëson të dy palëve përfitimin, partitë e mëdha e shtojnë numrin e mandateve kurse të voglat hyjnë në Kuvend me disa deputetë dhe marrin edhe poste tjera nëse koalicioni krijon Qeverinë. Faktori tjetër që kësaj here e ka kushtëzuar gjahun e partive të mëdha për të lidhur koalicione me partitë e vogla ka qenë lufta për sigurimin e pozitës së parë në zgjedhjet që ua krijon dy favore të mëdha: 1. Ftohet e para nga Presidenti që të krijojë shumicën qeverisëse, dhe 2. I takon me automatizëm posti i Kryetarit të Kuvendit. Herën e fundit kjo çështje e Kryeparlamentarit ka qenë arsyeja për bllokadën disamujore si dhe për prishjen e koaliconit VLAN.

Express: PDK ka vendosur t’i jap postin e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe për të hyrë në koalicion me AAK e Nisma. A mund të ndëshkohet PDK për këtë veprim? Sipas jush a bëri PDK këtë veprim nga frika e humbjes së zgjedhjeve?

Maliqi: Sipas disa matjeve të opinionit PDK-ja ka një përparësi ndaj LDK-së si edhe në zgjedhjet e mëhershme, por që ka mundur të shkrihet ose të përmbyset pasi që LDK bëri koalicion me AKR-në dhe Alternativën demokratike. Koalicioni LDK-AKR-AD ndodhi ditën e fundit para regjistrimit të koalicioneve, dhe PDK-ja reagoi shpejt duke ua bërë ofertën e parezistueshme AAK-së dhe Nismës. Mund të quhet edhe frikë nga humbja e zgjedhjeve, por është edhe kalkulim me sakrificë vendimi i Kadri Veselit që të heq dorë nga kandidimi për Kryeministër. Besoj se ky koncesion është kompenzuar me favore tjera për PDK-në. Situatë të ngjashme kemi pas edhe kur është krijuar Qeveria e mëparshme, Hashim Thaçi hoqi dorë nga Kryeministri duke e joshur për koalicion Isa Mustafën dhe LDK-në.  

Express: Koalicioni i ashtuquajtur ‘Krahu i Luftës’, a mendoni se është bërë edhe për shkak se këtë vit priten të ngrihen aktakuzat nga Gjykata Speciale?

Maliqi: Nuk besoj se Gjykata Speciale është forca motivuese për vendimet e marra. Postet në Qeveri nuk sigurojnë asnjë mbrojtje për ata që do të akuzohen nga Gjykata. Por mund të jetë rrethanë e favorshme që reagimet ndaj proceseve të janë më të matura dhe më të kujdesshme, sepse do të kemi situatën ku UÇK-ja është në pushtet, dhe njëkohësisht individët, ish pjesëtarët e UÇK-së ndjeken për krimet konkrete ndaj civilëve. Të paktën nuk do të mund të flitej me plotë gojë se Gjykata Speciale po e kriminalizon UÇK-në. Për më shumë, secila akuzë do të procesohet dhe do të duhej të parashtrohen provat për denimet eventuale ose lirimin e atyre që do të akuzohen. E kemi përvojën e Tribunalit të Hagës që nuk ka gjetur prova për Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, por disa të tjerë janë dënuar dhe vuajnë burgun. 

Express: Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të hyjë në zgjedhje e vetme. A mendoni se ka vepruar drejtë.

Maliqi: Kjo Lëvizje ka pasur biseda për koalicione, por me kritere dhe kërkesa që nuk kanë mundur të pranohen nga subjeket tjera. Nuk di a kanë vepruar mire apo keq, por janë në të drejtën e tyre. Dje dhe sot është folur për mundësinë që të bëhet lista e përbashkët zgjedhore me LDK-në, por kjo nuk ka pas sens pasi që nuk janë regjstruar si koalicion.  Ndërkaq, koalicioni pas zgjedhjeve LDK-VV me gjasa do të jetë po kështu pa sens nëse janë të sakta parashikimet se as së bashku nuk do të mund t’i konkurronin koalicionit PDK-AAK-Nisma e të tjerë, sepse ai mbledh 13 parti.

Express: A mund të ketë një krizë politike pas zgjedhjeve, për formimin e Qeverisë, pasi tash realisht kemi dy blloqe të mëdha të koalicioneve?

Maliqi: Po, mund të ndodh edhe kjo sepse nuk i kemi vetëm dy blloqet por dhe VV-në si një faktor në vete që do të mund t’I ketë ndoshta mbi 20 mandate.  Për VV kjo hap mundësinë e faktorizimit, të marr rolin që e ka LSI-ja në Shqipëri, të të ashtuquajturit king-maker, duke kushtëzuar krijimin e qeverisë së ardhshme, nese asnjë nga blloqet nuk do t’i ketë numrat për qeveri. Në kët rast do të aktivizoheshin edhe skenaret tjera për debllokadën: përsëritja e koalicionit të madh, prishja e koalicioneve parazgjedhore, futja e VV në qeveri…

    Data: 18 Maj 2017 18:04
    Autori: Donika Krasniqi

    Të tjera