E pranon Kryeministri: Iniciativa për zhbërjen e Speciales s’pati suksese

Kosova feston me 17 Shkurt 10 vjetorin e pavarësisë. Një intervistë me Kryeministrin Ramush Haradinaj për të arriturat dhe sfidat për vendin e tij nga Thomas Roser

GazetaExpress

Tagesspiegel: Zoti Haradinaj, a janë përmbushur pritjet tuaja të pavarësisë në dhjetë vite?

Ramush Haradinaj: Lindja e një kombi nuk është proces i lehtë. Kosova ka mësuar një mori leksionesh. Ne duhet ta përmirësojmë punën qeverisëse, shtetin e së drejtës, ekonominë. Ne jemi aty ku jemi. Mirëpo ne nuk dorëzohemi dhe duhet t’u dalim në ballë problemeve. Sepse ky është vendi ynë dhe një vend tjetër për të jetuar nuk e kemi.

Tagesspiegel: A e kuptoni dëshpërimin e qytetarëve të vendit tuaj?

Ramush Haradinaj: Është e vërtetë që në Kosovë ka shumë gjëra me të cilat njeriu nuk mund të jetë i lumtur. Kosova nuk është vepër e kryer krejtësisht. Institucionet qeveritare duhet që në luftën kundër korrupsionit ta fitojnë besimin e qytetarëve. Duhet të sjellim më shumë investitorë në vend, duhet t’i përmirësojmë resurset tona dhe ta shfrytëzojmë më mirë potencialin tonë.

Tagesspiegel: Kush është ose kush janë shkaqet se Kosova nuk është zhvilluar deri tashti ashtu siç para dhjetë vitesh është shpresuar.

Ramush Haradinaj: Gjithsesi që ka të arritura. Kosova është njohur, financat e shtetit janë forcuar. Kështu sivjet kemi aprovuar një buxhet prej 2 miliard Eurosh. Mirëpo në sfidat tona fatkeqësisht ende nuk kemi bërë sa duhet. Dhe për fat të keq edhe energjia e vrulli i BE-së dhe SHBA-ve janë ndalur paksa. Edhe fakti që pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën dhe nuk kemi një marrëveshje me Serbinë nuk po na e bëjnë jetën më të lehtë.

Tagesspiegel: Për herë të parë fuqitë mbrojtëse të Kosovës kanë kritikuar ashpër dhe haptazi për shkak të iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme për krimet e luftës së UÇK-së. A janë marrëdhëniet me partnerët perëndimorë në krizë?

Ramush Haradinaj:Ne ndjejmë përkrahjen e SHBA dhe të BE e cila për neve është shumë e rëndësishme. Ne kërkojmë para së gjithash nga BE për ndihmë, që ta gjejmë një rrugë e cila sidomos pesë vendet e BE-së të cilat s’e kanë njohur Kosovën- të mos na bllokojnë dhe ta njohin shtetin. Me këtë edhe Serbia do të lehtësohej dhe do të normalizonte marrëdhëniet me Kosovën.

Tagesspiegel: Mirëpo si i sqaroni reaksionet irrituese për iniciativën suaj?

Ramush Haradinaj:Iniciativa ka qenë një shprehje e jetës demokratike të parlamentit tonë. Mendimet e deputetëve nuk janë gjithmonë shprehje e obligimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Mirëpo iniciativa nuk pati sukses, pra nuk do të ketë një epilog. Njëkohësisht kritika për Gjykatën Speciale ndahet nga shumë juristë.

Tagesspiegel: Opozita beson që ju dhe Presidenti Thaçi qëndroni prapa kësaj iniciative në mënyrë që të pengoni aktakuzat e mundshme ndaj jush. Cila është pozita juaj për këtë Gjykatë?

Ramush Haradinaj:Kur është miratuar Gjykata në vitin 2015 Partia ime ka votuar kundër. Partia e ka parë si një Gjykatë selektive e cila merret vetëm me shqiptarët e Kosovës. Pokështu ka qenë kundër që Gjykata të veprojë jashtë territorit të vendit tim. Pozita ime si Kryeministër është që i respektoj vendimet e Parlamentit.

Tagesspiegel: Ju pra niseni nga ajo që Gjykata do të nisë me punën siç është planifikuar?

Ramush Haradinaj:Nuk do të ketë ndryshime. Iniciativa nuk do të mund ta bllokonte punën e Gjykatës pasi që dy të tretat e nevojshme janë absolutisht joreale. Tash kjo Gjykatë ekziston, ka kritika- mirëpo kjo është normale për çdo shoqëri.

Tagesspiegel: Megjithatë mediat e vendit tuaj kanë kolportuar me mosmarrjen e vizës për juve për SHBA dhe Britani të madhe duke e ndërlidhur me disonancat me partnerët kryesorë.

Ramush Haradinaj:Natyrisht që nuk mundem të flas për vendimet e qeverive tjera për personin tim. Mirëpo unë nuk e kam aspak këtë përshtypje. Viza për Britaninë e Madhe për ngjarjen e Londrës e proceduar nga zyra ime tashmë ka ardhur.

Tagesspiegel: Edhe gruzianët dhe ukrainasit për udhëtime në BE nuk kanë nevojë për viza, kosovarëve ende nuk ju është bërë e mundur kjo. Pse keni kaq shumë vështirësi të përmbushni kriterin e BE-së dhe ta aprovoni marrëveshjen kufitare me Malin e Zi?

Ramush Haradinaj:Shumë ekspertë besojnë që në atë marrëveshje është bërë një gabim dhe Kosova humbet territor. Pasi që në Parlament duhen dy të tretat e nevojshme për aprovim, jam duke kërkuar rrugë për të gjetur bindjen që ky territor është i sigurtë. E shoh si fatkeqësi që BE-ja e ka ndërlidhur liberalizimin e vizave me këtë çështje. Sepse në vend që për politikë një shoqëri po sanksionohet për shkak të një marrëveshjeje kufitare. Ky nuk është një trajtim i mirë për një komb që ka kaq shumë ndjenja proeuropiane.

Tagesspiegel: Dialogu i përkrahur nga BE-ja me Serbinë tash disa vite ka ngecur. A prisni së shpejti një përparim?

Ramush Haradinaj:Për Kosovën por njësoj edhe për Serbinë. Një Traktat i Paqes është shumë i rëndësishëm.

Intervista e plotë

Të tjera

Lajmet e fundit